Sinjalet e dhëna disa ditë më parë për rritjen e çmimit të bukës në tregun e prodhimit në Vlorë nuk kanë rezultuar boshe.Autoriteti i Konkurrencës ka dalë në përfundimin se ka tregues që ky treg ka marrë trajtën e një monopoli pas një marrëveshjeje të bërë mes rreth 42 prodhuesve të bukës disa javë më parë. Gjatë një konference për shtyp dje, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, u shpreh se institucioni që ajo drejton është duke kryer një hetim në këtë treg, por deri në daljen e përfundimeve janë marrë masa të përkohshme për të ndaluar çdo rritje çmimi në dëm të konsumatorit. Milo ka dhënë detaje rreth inspektimeve të kryera në terren gjatë këtyre ditëve. “Autoriteti i Konkurrencës, në mënyrë të menjëhershme, ka realizuar inspektime në tregun e prodhimit të bukës në Vlorë, ku u konstatua se rritja e çmimit të bukës në këtë qytet ka ardhur pas një takimi të 42 prodhuesve dhe tregtuesve të bukës në datë 21.3.2011. Në këtë takim është rënë dakord se që nga data 23.03.2011, çmimi i bukës 900 gramëshe do të jetë 120 lekë dhe çmimi i bukës 450 gramëshe do të jetë 60 lekë”, tha ajo. Ndërkaq, dy elementë që tregojnë për një marrëveshje mes prodhuesve është rritja në të njëjtën kohë e çmimit si dhe afishimi në të njëjtën ditë të çmimeve të reja pranë furrave të bukës. Duke vlerësuar marrëveshjen e prodhuesve si një shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Autoriteti ka reaguar duke marrë edhe një sërë masash për të ndaluar dëmin ndaj konsumatorit.
Masat
Autoriteti ka kërkuar nga prodhuesit e bukës që kanë marrë pjesë në marrëveshjen e datës 21 mars që t’i japin fund rritjes dhe fiksimit të çmimit të bukës, e cila dëmton seriozisht konsumatorin. Aktualisht konkurrenca është duke kryer një hetim, por ndërkohë deri në përfundimin e tij prodhuesit duhet të zbatojnë vendimin që ka dhënë AK-ja për uljen e çmimit.
“Moszbatimi i vendimit për masa të përkohshme, ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, në bazë të nenit 76, pika b të ligjit 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar para-ardhës, e cila llogaritet nga data e marrjes së këtij vendimi”, informoi dje Milo. Ajo i bëri thirrje organizatave të biznesit që të bashkëpunojnë me autoritetin për të ndaluar çdo masë që merret në dëm të konsumatorëve. Paralelisht janë paralajmëruar gjithë bizneset që të mos bëhen pjesë e marrëveshjeve që prekin konkurrencën, pasi ndaj tyre do të merren masa administrative dhe penalitete sipas pikave që parashikohen në ligj. Rritja e çmimit të bukës në tregun e Vlorës u lakua për disa ditë rresht në media dhe pas këtyre denoncimeve, u nis edhe inspektimi i AK-së. Ndërkaq, edhe në Tiranë pak ditë më parë është bërë një rritje çmimi nga disa furra buke, të cilat kanë filluar të tregtojnë bukën nga 80 lekë në 90 lekë.
42 prodhues
buke kanë zhvilluar një takim në datë 23 mars në Vlorë dhe pas atij takimi është vendosur menjëherë një çmim i ri dhe më i lartë për shitjen e bukës në këtë qytet. AK-ja gjykon se mes këtyre prodhuesve ka një marrëveshje
Hetim vajit, orizit dhe sheqerit deri në maj
Konkurrenca vazhdon hetimin për tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit të sheqerit, orizit dhe vajit vegjetal në vend. Ky hetim i nisur në muajin shtator të vitit 2010 erdhi pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve për këto produkte. Me vendimin fillestar supozohej që hetimi do të zgjaste deri në janar, por më pas u shty për shkak se kompanitë nuk kishin paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës gjithë materialin e kërkuar. Më pas, hetimi u shty deri në shkurt dhe, me vendimin e fundit, raporti për hetimin duhet të bëhet gati jo më vonë se data 30 maj 2011.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











