Për rreth një orë, banorë të fshatrave të Njësisë Administrative Thumanë kanë bllokuar rrugën që lidh aksin e autostradës Thumanë-Kashar, pranë Gramzës.
Kjo pjesë e rrugës prej rreth 500 metra është bërë makth i drejtuesve të automjeteve, nga amortizimi tejet i rëndë i këtij aksi.
Banorët kanë bllokuar për rreth një orë kanë mbajtur rrugën e bllokuar, në shenjë proteste ndaj institucioneve.
Banorët sipas tyre janë të vendosur të vijojnë protestat deri në rikonstruksionin e plotë të saj.
Në mbështetje të protestuesve Aulon Kalaja, ish-kandidati i opozitës në zgjedhjet e 11 majit, aktivist nga shoqëria civile, i cili tha se “banorët nuk duan asfalt elektoral”.
“Nuk do i ndalim protestat për rrugën derisa të rikonstruktohet, pasi 500 metra rrugë janë bërë makthi jonë, me gropa dhe e amortizuar”, thanë banorët mes të tjerash gjatë protestës.
“Zero shërbim në këtë vend. Nuk mendon shteti fare, as bashkia apo kush i ka, e gjithë zona kalon në këtë rrugë, i gjithë veriu hyn këtu, vetëm 1 km rrugë dhe asgjë nuk bëhet. Patjetër do vazhdojmë protestat derisa të marri drejtim kjo çështje dhe rrugë”, shprehet një tjetër banor.
“Kjo është një rrugë që nuk e dimë se çfarë marshi t’i fusim makinës kur hyjmë këtu. Edhe ne çuditemi nga kjo rrugë. U bë punë e keqe nga autostrada Thumanë-Kashar dhe tani të shkosh që nga poshtë, saqë janë kthyer në burim aksidentesh dhe është në këtë gjendje nga fluksi. Nuk e kemi politike këtë punë, por se jemi duke vuajtur. Na kanë futur në gropë, ishallah na ndihmon Zoti se po qe për politikanët që kemi ne, këna mbaru punë”, thotë një nga shoferët protestues.
© Panorama.al

















