Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, tha se deklaratat publike të ministres serbe Snezhana Paunoviç përfaqësojnë edhe qëndrimin zyrtar të Beogradit, pasi presidenti Vuçiç është një nga mbrojtësit dhe mbështetësit nxitës të grupeve terroriste si ai që veproi në Banjskë, në përpjekje për spastrimin etnik në Kosovë.
I ftuar në një lidhje direkte me studion e News24, ai analizoi zhvillimet e fundit, teksa kërkoi edhe një reagim më të fuqishëm si të ndërkombëtarëve, ashtu edhe të Prishtinës zyrtare. Sipas Elezit, më e pakta që mund të bëhej, ishte shkarkimi i menjëhershëm i Paunoviçit dhe distancimi prej saj nga Beogradi.
“Tregon qartë qëndrimin zyrtar edhe të Beogradit dhe Serbisë, situatë e rëndë dhe e paqartë për Serbinë dhe në çështjet e sigurisë dhe nxitjen që i bën organizatave kriminale. Dy ditë më parë Vuçiç mbështeti hapur Radoiçiçin, i doli në mbrojtje atij, e akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë dhe kjo është deklaratë e qartë. Kjo deklaratë do trajtuar me shumë kujdes, edhe pse ka pasur disa distancime. Por masat duhet të merreshin edhe më parë, me reagime të fuqishme. Duhet të ketë reagime të forta nga faktori ndërkombëtar, SHBA e BE, dhe që të pasohen me dorëheqjen apo shkarkimin e ministres Pauniviç. Reagimet e deritanishme janë formale dhe për konsum politik. Kosova duhet të mblidhte të paktën Këshillin e Sigurisë dhe jo të mjaftohej me shpalljen non grata apo kallëzimin ndaj Paunoviç”, tha ai mes të tjerash.
Një deklaratë e fundit e ministres serbe Paunoviç ka ngjallur debate të forta dhe reagime të shumta në Kosovë, por edhe nga ana e Bashkimit Europian.
Sipas Elezit, kjo deklaratë nuk është një qëndrim i izoluar, por pasqyron qartë strategjinë dhe qasjen reale të Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës. Ai theksoi se ky retorikë shërben si një kod dhe nxitje e drejtpërdrejtë për grupet radikale, kriminale dhe terroriste në veri të vendit.
Eksperti i sigurisë bëri një ndërlidhje kronologjike të ngjarjeve, duke kujtuar se vetëm dy ditë para këtij deklarimi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, doli publikisht në mbrojtje të Milan Radoiçiçit, përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.
“Kemi një lloj përqafimi të politikanëve serbë ndaj grupeve terroriste që kryen sulmin në veri. Kjo deklaratë e ministres provokoi qëllimisht reagimin ndërkombëtar, duke tentuar të motivojë strukturat paralele për të destabilizuar rendin kushtetues të Kosovës”, u shpreh Elezi.
Sipas tij, pas kësaj strategjie fshihet edhe interesi i Rusisë dhe Iranit për të krijuar vatra të reja zjarri në Ballkan, me qëllim defokusimin e vëmendjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj nga krizat e tjera globale.
Elezi u tregua mjaft kritik ndaj mënyrës se si institucionet shtetërore në Prishtinë po e menaxhojnë këtë situatë. Ai deklaroi se shpallja e ministres serbe si person i padëshirueshëm apo paralajmërimet për kallëzime penale janë veprime sipërfaqësore dhe vetëm për “konsum politik e mediatik”.
Sipas ekspertit, hapat e menjëhershëm që duheshin ndërmarrë përfshijnë:
-Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar situatën flukse dhe rritur vigjilencën e inteligjencës.
-Përgatitjen e dosjeve me prova konkrete dhe dërgimin e shkresave zyrtare tek shtetet e Kuintit dhe organizmat ndërkombëtarë, në vend të deklaratave në media.
-Kërkesën zyrtare ndaj NATO-s për të shtuar praninë e saj, veçanërisht në një moment kur është përfolur për zvogëlim të forcave.
© Panorama.al












