Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të trafikut të klandestinëve.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve njoftoi sot (18 korrik) se ka finalizuar operacionin e koduar “Organizatori”.
Në pranga ka rënë një 34-vjeçar egjiptian me iniciale A. H., banues në Krujë, i cili dyshohet se organizonte transportin ilegal të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Sipas informacioneve zyrtare, i huaji kishte ndërtuar një skemë të mirëfilltë për t’i shpëtuar kontrolleve të rrepta të Policisë. Për të mos rënë në sy në akset rrugore, ai nuk i transportonte klandestinët në grupe, por i lëvizte ata një e nga një drejt zonave kufitare. Pas sigurimit të informacioneve në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në momentin kyç. 34-vjeçari egjiptian u kap në flagrancë në autostradë, në afërsi të Rinasit, teksa po transportonte me automjet drejt Shkodrës një bashkëatdhetar të tij, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit”, thanë burime zyrtare.
Në cilësinë e provës materiale, agjentët e policisë i kanë sekuestruar të arrestuarit aparatin celular, i cili pritet të zbardhë bisedat dhe bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në këtë rrjet të celulave të trafikut që operojnë kundrejt pagesave të majme.
“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi,” njoftoi zyrtarisht Policia.
Materialet procedurale tashmë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Policinë e Tiranës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “Organizatori”, duke goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore. Në pranga ka rënë një 34-vjeçar egjiptian me iniciale A. H., banues në Krujë, i cili dyshohet se organizonte transportin ilegal të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas informacioneve zyrtare, i huaji kishte ndërtuar një skemë të mirëfilltë për t’i shpëtuar kontrolleve të rrepta të Policisë. Për të mos rënë në sy në akset rrugore, ai nuk i transportonte klandestinët në grupe, por i lëvizte ata një e nga një drejt zonave kufitare.
Pas sigurimit të informacioneve në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në momentin kyç. 34-vjeçari egjiptian u kap në flagrancë në autostradë, në afërsi të Rinasit, teksa po transportonte me automjet drejt Shkodrës një bashkëatdhetar të tij, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në cilësinë e provës materiale, agjentët e policisë i kanë sekuestruar të arrestuarit aparatin celular, i cili pritet të zbardhë bisedat dhe bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në këtë rrjet të celulave të trafikut që operojnë kundrejt pagesave të majme.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale tashmë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore”.
© Panorama.al












