Mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e Tiranës në marshimin tradicional, me këngë patriotike, thirrje, parulla, borie dhe qëndresë.
Ata kërkojnë njëzëri mbrojtjen e integritetit të trojeve shqiptare, dorëheqjen e qeverisë, largimin e klasës së vjetër politike dhe të kryeministrit Edi Rama.
Teksa lanë bulevardin, vargu i gjatë kilometrik i marshimit hyri në qendër dhe më pas në Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, dhe më tej drejt ish-“Zogut të Zi”, në një pjesëmarrje spektakolare.
Një tubim madhështor, është organizuar prej 12 ditësh në Tiranë. Një pjesëmarrje historike e shqiptarëve në këtë protestë që ka kaluar edhe përtej kufijve.
“Edi Rama ka marrë fund”, “Jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Nesër më shumë”, ishin shumë nga thirrjet e tyre.
Protesta nisi në orën 18:00 dhe në orën 21:00 i la vendin marshimit. Nuk munguan as thirrjet “UÇK” apo “Shqipëri etnike”, teksa ka pasur edhe prani të lartë të diasporës dhe nga Kosova.
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Akuza të forta kanë hedhur për qeverinë të cilën e akuzojnë për keqqeverisje.
Kjo revoltë i ka bashkuar të gjithë, dhe mesazhi është një dhe i vetëm, dorëheqja e Ramës.
© Panorama.al
























