Pamjet që shihni janë pasojat që la shpërthimi me tritol në banesën e Bakie Zotos, nënës së Gentjan Zotos, i dënuar me 35 vite burg për atentatin ndaj Inez Hajrullës, ngjarje e ndodhur në 2019.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës.
63-vjeçarja, Bakie Zoto tha se nuk e ka idenë se kush mund ta ketë vendosur tritolin, ndërsa theksoi se nuk ka konflikte.
“Vetëm jetoj. Erdhi dhe policia. Më shumë u bë tym. Jo fare asnjë konflikt. Kam kaq vite këtu në lagje. Nuk e di, jam habitur dhe vetë”, tha Bakie Zoto.
Policia per ngjarjen
“Më datë 29.11.2025, rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi”, lagjja “Partizani”, në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thotë policia.
Atentati ndaj Inez Hajrullës
Ngjarja u regjistrua më 10 maj 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.
Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë ngjarje kanë marë pjesë nëntë persona: Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë.
Sipas prokurorisë së Vlorës Inez Hajrulla në datën 10 maj 2019 ka qenë nën shoqërinë e Ervis Matodashaj, në ambientet e një lokali në Vlorë. Pikërisht në këtë vend disa persona kanë qëlluar me armë me qëllim për të vrarë Inez Hajrulla. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur. Si pasojë e këtyre të shtënave është plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ka qenë duke pirë kafe.
Në ikje e sipër autorët e këtij krimi që ndodheshin brenda një automjeti tip “Land Rover” me ngjyrë jeshile dhe që në kokë mbanin maska, janë përplasur me dy automjete të rastit në afërsi të bashkisë Vlorë, dhe më pas kanë ikur në drejtim të fshatit Babicë. Policia u është vënë në ndjekje këtij automjeti dhe në afërsi të fshatrave Babicë e Vogël, dhe Çeprat, ky automjet është gjendur i djegur. Brenda në automjet ndodheshin dy automatikë të djegur plotësisht dhe një dorezë plastike e djegur pjesërisht. Për të zbardhur dinamikën e këtij krimi të rëndë policia dhe prokuroria e Vlorës kanë sekuestruar disa pamje filmike, nga të cilat evidentohet se mjeti “Land Rover”, afrohet dhe lëviz në shëtitoren e njohur “Lungomare” dhe në momentin që i afrohet lokalit , ndalon dhe nga dera e pasme e mjetit zbret një person.
Pikërisht në këtë momen gjashtë persona që ishin ulur në tavolina ngrihen dhe ikin me vrap.
© Panorama.al











