Përplasjet në Tiranë, media spanjolle: Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës! Policia përdori gazit lotsjellës ndaj protestuesve

Jul 23, 2026 | 21:23

Përplasjet e regjistruara këtë të enjte para Parlamentit të Shqipërisë kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

protesta parlamenti 23 korrik

Media spanjolle raportojnë për tensionet mes policisë dhe protestuesve, të cilët kundërshtojnë ndërtimin në zonat e mbrojtura, në Zvërnec.

Sipas raportimit të medias spanjolle, protestat që nisën në muajin maj janë përshkallëzuar dhe këtë të enjte arritën në dyert e Parlamentit.

Siç thuhet në artikull, protestuesit kërkojnë jo vetëm ndalimin e projektit turistik në zonën e mbrojtur natyrore, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Artikulli i CADENA SER:

Zona përreth parlamentit të Shqipërisë ishte skena e përleshjeve të dhunshme këtë të enjte midis policisë dhe protestuesve që e kanë zhvendosur protestën e tyre kundër ndërtimit të një mega-resort të promovuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, në një zonë të mbrojtur.

Këto protesta filluan në maj, por janë përshkallëzuar deri në atë pikë sa kanë arritur sot para portës së parlamentit, ku po zhvillohej një debat i nxehtë në lidhje me këtë projekt të mbështetur nga qeveria.

Protestuesit kërkojnë jo vetëm pezullimin e projektit, i cili prek një zonë të mbrojtur natyrore plot me flamingo, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Rama vijon të mbështesë projektin, përmes të cilit synon forcimin e marrëdhënieve me administratën e Donald Trump, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton ligjshmërinë e ndryshimit të statusit të mbrojtjes së tokave ku është planifikuar ndërtimi i kompleksit turistik, ndryshim i cili u miratua nga Parlamenti në vitin 2024.

Gjatë debatit të zhvilluar këtë të enjte në Parlament, opozita kërkoi që policia të ndalojë përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve. Ndërkohë, ministri i Brendshëm deklaroi se efektivët kanë autorizim për përdorimin e tij “për të neutralizuar personat e dhunshëm, ashtu siç bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në forcat policore të vendeve të Bashkimit Europian”.

© Panorama.al

Te lidhura