Aktivisti Ilir Xhemalaj ka folur rreth tensioneve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj protestuesve.
Në fjalën e tij para protestuesve, Xhemalaj e cilësoi ndërhyrjen e policisë si një “atentat” ndaj protestës dhe për të frikësuar qytetarët.
“Është përpjekur t’i bëhet atentat kësaj proteste“, tha ai, ndërsa shtoi se “një gjyshe 80-vjeçare është tërhequr zvarrë nga policia e krimit, një nëne me fëmijë me aftësi ndryshe i është hedhur spraj me piper në fytyrë”.
Aktivisti theksoi se pavarësisht përplasjeve dhe shoqërimeve të disa protestuesve, rezistenca do të vijojë në sheshin para kryeministrisë deri sa të arrihet fitorja, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Aktivisti Ilir Xhemalaj: Sot paradite ka ndodhur një akt i rëndë. Është përpjekur t’i bëhet atentat kësaj proteste. Sot, një gjyshe 80-vjeçare është tërhequr zvarrë nga policia e krimit.
Sot, motrat tona janë tërhequr zvarrë nga policia e krimit. Sot, një nënë me fëmijë me aftësi ndryshe i është hedhur spraj me piper në fytyrë.
Sot, Policia e Shtetit ka dashur të arrestojë të gjithë këta aktivistë që janë këtu, por nuk do t’ia arrijnë, sepse jemi këtu në këtë shesh dhe këtu kemi dalë për popullin shqiptar.
Populli shqiptar është këtu. Beteja jonë bëhet në këtë shesh dhe këtu do të marrim fitoren. Rroftë Shqipëria! Poshtë qeveria e krimit!
© Panorama.al











