“Kjo protestë i ka ngjallur shpresën Shqipërisë”- Aktivisti Lika në protestë pas lirimit: Do t’i mundim këta politikanë maskarenj! Do jemi çdo ditë para këtij pushteti

Jul 23, 2026 | 20:44

Aktivisti Edison Lika foli menjëherë nga sheshi i protestës, pak pasi u lirua nga Policia e Tiranës, e cila e kishte shoqëruar me forcë për 4 orë pse denoncoi dhunën ndaj qytetarëve para Parlamentit.

Ai tha se qytetarët nuk do dorëzohen dhe se kjo politikë e maskarenjve do të largohej një herë e mirë.

Lika nënvizoi se protesta ia kishte hequr buzëqeshjen politikës dhe mazhorancës socialiste.

“Ne nuk pranojmë të na marrin ata gjithçka, ama ne do ua marrim buzëqeshjen. Nuk ka njerëz që e duan më shumë njëri-tjetrin se ju në shesh. Nuk ka njerëz që urrejnë njëri-tjetrin se sa 83 deputetët e PS-së. E dini pse? Sepse ne na bashkon dashuria për lirinë, kurse ata i bashkon interesi momental. Ne do jemi çdo ditë para këtij pushteti të buzëqeshur, sepse kjo është gjëja më e bukur që i ka ndodhur Shqipërisë, i ka ngjallur Shqipërisë shpresën, që njerëzit të fitojnë besimin te njëri-tjetrin, që ta çlirojnë njëri-tjetrin”, tha ai.

Lika u shpreh se dashuria që ata kanë për njëri-tjetrin do të ishte fundi i kësaj politike.

“Me dashurinë që kemi për njëri-tjetrin do t’i mundim këta politikanë maskarenj. I kemi parë gjërat ndryshe, e kemi parë dhe do ta bëjmë politikën ndryshe, e kemi parë diasporën ndryshe. Politikën do e bëjmë me dashuri për njëri-tjetrin, me buzëqeshje”, vijoi ai.

Kurse në fund bëri thirrje për lirimin e të arrestuarve që mbaheshin ende në paraburgim.

“Tani të mbështesim çunat e tjerë, sepse disa i liruan, edhe Meçanin e liruan. Duajeni Shqipërinë, duajeni njëri-tjetrin, së bashku do e ndërttojmë Shqipërinë e re”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura