Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Policët që mbrojnë Ramën dhe Ballukun kishin marrë urdhër për të na qëlluar! Sa më shumë na dhunoni, aq më shumë shtohet rezistenca jonë

Jul 23, 2026 | 20:29

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka reaguar pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Parlamentit dhe arrestimin e disa aktivistëve, duke akuzuar se qytetarët u përballën sot me një reagim të paprecedentë nga efektivët e Policisë së Shtetit.

Aktivistja akuzoi se policia nuk ka vepruar në mbrojtje të qytetarëve, por sipas saj, ka zbatuar urdhra politikë nga Taulant Balla, Ulsi Manja e Edi Rama.

“Sot, përballë nuk kemi pasur, ne themi, një polici që është me ne. Sot kemi pasur përballë gjuhën e zgjatur kriminale të Taulant Ballës, të Ulsi Manjës, të Edi Ramës dhe dorën e zgjatur të krimit në Parlament”, tha ajo.

Ndër të tjera Vatnikaj tha se “efektivët që mbrojnë sot Edi Ramën dhe Belinda Ballukun kishin marrë urdhër që të na gjuanin, që të na rrihnin dhe të na arrestonin”, por theksoi se pavarësisht kërcënimeve apo intimidimeve, protestuesit nuk tremben.

“Megjithatë, sot Policia e Shtetit duhet ta shohë se sa më shumë dhunë të ushtroni ju, aq më shumë numra ka në shesh. Sa më shumë na rrihni, aq më shumë shtohet rezistenca jonë. Sa më shumë gaz të hidhni, aq më shumë solidaritet ka mes nesh”, përfundoi aktivistja.

 

Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Pavarësisht se prej 54 ditësh po protestojmë në mënyrë paqësore, sot jemi përballur me një dhunë të paprecedentë, të pajustifikueshme nga ajo që ne e quajmë Polici e Shtetit. Sot, fëmijë, të moshuar, fëmijë të tjerë, njerëz që kanë probleme shëndetësore, janë përballur me gazin lotsjellës, me dhunën e policisë, me ujin me piper dhe dhjetëra prej tyre gjenden ose në spital, ose në komisariate.

Sot, përballë nuk kemi pasur, ne themi, një polici që është me ne. Sot kemi pasur përballë gjuhën e zgjatur kriminale të Taulant Ballës, të Ulsi Manjës, të Edi Ramës dhe dorën e zgjatur të krimit në Parlament.

Ne e dimë që dhuna juaj nuk na mërzit dhe, kur na shantazhoni familjarët tanë, nuk na kërcënoni. Por, siç kemi pasur ne në fytyrën e shokëve tanë të arrestuar, ju themi se nuk ju kemi frikë. Nuk ju kemi frikë.

Sot, si asnjëherë më parë, kemi parë policë që fshihen për të mos kapur kriminelët. Ata policë që mbrojnë sot Edi Ramën dhe Belinda Ballukun kishin marrë urdhër që të na gjuanin, që të na rrihnin dhe të na arrestonin.

Megjithatë, sot Policia e Shtetit duhet ta shohë se sa më shumë dhunë të ushtroni ju, aq më shumë numra ka në shesh. Sa më shumë na rrihni, aq më shumë shtohet rezistenca jonë. Sa më shumë gaz të hidhni, aq më shumë solidaritet ka mes nesh.

Prandaj, për këdo që mendon se i ka frikësuar aktivistët apo familjarët, ju themi se nuk ju kemi frikë.

© Panorama.al

Te lidhura