“Taulant Balla, i ke bërë llogaritë gabim me popullin”- I quajti terroristë, aktivisti nga protesta: SPAK ta marrë nën akuzë deputetin, shkeli Kushtetutën, t’i hiqet dhe mandati! Rama dorëhiqu

Jul 23, 2026 | 20:15

Një nga aktivistët e protestës kërkoi nga podiumi para kryeministrisë hetimin nga SPAK të deputetit socialist Taulant Balla dhe heqjen e mandatit të ligjvënësit.

Shkak sipas tij ishte deklarata e paprecedentë e Ballës sot nga Kuvendi, ku i quajti protestuesit terroristë. Ai i bëri thirrje edhe Komisionit Evropian dhe Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtonin mandatin e tij.

“Sa herë pushteti tregon dhe ushtron forcë, ne bëhemi edhe më të fuqishëm dhe më të fortë. Po bëj një deklaratë këtu. Balla na quajti ne terrorist, ai është një deputet i parlamentit të Shqipërisë, kryetar i grupit të PS, ka shkelur Kushtetutën, nenin 30, konventën e të drejtave të njeriut. E papranueshme të quhemi terrorist nga një deputet. Ne duhet të qëndrojmë më të fortë përpara këtij pushteti kriminal, ka shkelur edhe nenin 120 të Kodit Penal, ndaj thirrja ime ndaj drejtësisë, SPAK-u ta marrë menjëherë nën hetim. Ai ose të vërtetojë se ne jemi terroristë, ose të shkojë në burg”, tha ai.

aktivisti

Më tej bëri edhe një apel për kryeministrin, që të largohej sa më parë dhe madje t distancohej nga deklarata e Ballës, pasi terrorist është vetë kreu i qeverisë dhe pushteti.

“Asnjë politikan, asnjë deputet, qoftë edhe kryeministri Rama nuk mund ta thotë këtë, kurse presidenti nuk bën asnjë deklaratë. Askush nuk mund të na quajë ne terroristë. Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim mandatin e deputetit balla, edhe Komisioni Evropian ta marrë në shqyrtim këtë deklaratë, edhe deputetët e tjera të marrin në shqyrtim këtë deklaratë të Ballës, ne jemi njerëz të lirë, nuk jemi terrorist”, tha ai.

Aktivisti e quajti dorëheqjen e Ramës domosdoshmëri, kurse Ballës i drejtoi një mesazh se i kishte bërë llogaritë gabim me popullin.

“Dorëheqja jote zoti Rama është kërkesë themelore, duhet të distancohesh ose ta pranosh, terrorist je ti, nuk jemi ne. Ndaj të gjithë bashkë të tregojmë këtë paqe të madhe që kemi treguar deri tani. Rama në burg, Berisha në burg. Taulant Balla, i ke bërë llogaritë gabim me këta njerëz, ajo deklaratë nuk do harrohet kurrë nga ne, sepse do kemi një Kushtetutë të re që do votohet nga sovrani”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura