Kreu i SPAK, Klodian Braho, tha sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, se secili deputet apo person që ka çështje konkrete apo prova, të kallëzojë në SPAK dhe institucioni do të veprojë pavarësisht se cilët janë të dyshuarit.
Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, drejtoi disa nga pyetjet që kishin të bënin me dosjen “Albanian Files”, ku ai bëri përgjegjës apo të implikuar kryeministrin e vendit në lidhje me ndërtimet e paligjshme, dëmtimin e zonave të mbrojtura dhe deri aktiviteti kriminal, lidhja me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.
Kreu i SPAK për këtë pyetje u përgjigj shkurtimisht duke i ftuar të gjithë që nëse kishin prova të depozitonin kallëzime në SPAK.
“Kush ka prova, për cilindo, të bëj kallëzim është i ftuar që të bëjë kallëzim në SPAK. Kushti kryesor është nevoja për të marrë prova dhe për të ngritur çështje penale mbi bazën e tyre”, tha Braho.
Ndërkohë, kreu i SPAK, Klodian Braho, u përgjigj se nuk do të komentojë çështje konkrete, ndërsa theksoi se çdo person mund të hetohet nëse ekzistojnë prova dhe nevoja hetimore.
“Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale”, deklaroi Braho.
Braho vijoi të shpjegonte se çështja e pastrimit të parave ishte fenomen shqetësues edhe për institucionin që drejton.
“Çështja e pastrimit të parave është shqetësim për ne. Është veprimtari kriminale që është cilësuar nga ne me risk të lartë dhe prioritare për SPAK-un. Hetimet e fundit tregojnë ndryshim të SPAK ndaj qasjes së këtyre veprave penale dhe aktiviteti. Aktiviteti i pastrimit të parave rrisin fuqinë financiare të krimit të organizuar dhe burimin për aktivitet të tjera kriminale ndaj edhe është si prioritet”, tha ai.
Në fjalën e tij, deputeti Gjin Gjoni tha p♪7r çështjen “Albanian Files”:
“Shqipëria është në vendin e 91 për korrupsionin. Mosthirrja e kryeministrit, qoftë edhe si person në dijeni, për inceneratorët, Albanian Files, krimin e organizuar, a vë në pikëpyetje paanshmërinë tuaj?
A është nisur një hetim ndaj Ramës në lidhje me Albanian Files, meqë zotëria në fjalë e trumbeton si arritje të madhe? A keni hetuar se kush janë personat që kanë porositur këto kulla dhe lidhjen e tyre me kryeministrin e Shqipërisë? Si janë bërë pagesat e kostove të projekteve që sot nuk janë miratuar ende nga shteti shqiptar, megjithëse është përgatitur një dosje me mbi 500 faqe?“.
Edhe zëvendëskryetari i komisionit Ermal Elezi, i ka drejtuar Brahos pyetje sa i përket mungesës së personelit në strukturën e posaçme dhe kërkesën buxhetore për çështje infrastrukturore.
“Ju i referoheni raportit të BE për sundimin e ligjit, të publikuar në 2026, që do të jetë objekt i raportit të vitit të ardhshëm. Mungesa në personal lidhet me të dy aspektet, më shumë në disa vende ende të pa plotësuara në BKH, 40 vende për hetues, për të cilat shpejt do të nisë njoftimi për aplikimin. Megjithatë pavarësisht ajo që mban raporti për rritjen e ngarkesë së punës, kjo i referohet të dhënave të vjetra që i janë dërguar BE. Në 6 mujorin e parë të 2026 në kurbën e ngarkesës nga rritje në zbritje”, shpjegoi kreu i SPAK.
Kurse për shkakun e rënies së euros si pasojë e pastrimit të parave të krimit, Braho deklaroi se nuk kishte asnjë përgjigje për këtë çështje.
© Panorama.al













