“Vetëm një idiot thotë që drejtësinë e kontrollojmë ne!”- Arrestimi i Veliajt, Rama: Hetimi është jashtë shinave kushtetuese!

Feb 11, 2025 | 19:59

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në eventin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, u shpreh se hetimi ndaj kryetarit Erion Veliaj është jashtë shinave të Kushtetutës së Shqipërisë.

rama

“Për mua nuk është normale, nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim përpara të cilit reagimi do ishte i menjëhershëm. Ka një hetim për jetën e kryetarit të Bashkisë. Dyshimi i arsyeshëm është që është jashtë shinave të Kushetueses së Shqipërisë…”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot, vetëm një idiot mund të na thotë që ne kontrollojmë drejtësinë”.

“Ne sot, vetëm një idiot mund të na thotë që kontrollojmë drejtësinë. Vetëm një i pafytyrë thotë që nuk i kemi dhënë drejtësinë gjithë pavarësinë që nuk e ka pasur që nga shpallja e pavarësisë në 1912-ën”, tha ai.

Rama: Sot jemi në kushtet kur gjendemi përpara një çështjeje ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë për korrupsion, por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, është hetuar personi, jeta e një njeriu, e familjes së tij si rezultat i një novele me dhjetëra e dhjetëra faqe anonime të depozituar në shkurt të vitit të kaluar.

Më vjen keq, nuk e pretendoj që në këtë çfarë do them jam neutral apo i pavarur apo i zhveshur nga interesi sepse në fund të fundit, jam udhëheqësi, kam privilegjin të jem udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve dhe e kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, zhvillohet një linçim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit 3 muaj përpara zgjedhjeve.

Nuk po insinuoj asgjë, por po them që për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim përpara të cilit reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk ka një urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror, nuk ka, nuk ka, nuk ka. Ka një hetim për jetën e kryetarit të bashkisë.

Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kjo nuk më takon mua ta them, por dyshimi i arsyeshëm është që është jashtë shinave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ne sot vetëm një idiot mund të na thotë që kontrollojmë drejtësinë. Vetëm një i pafytyrë mund të thotë që ne nuk i kemi dhënë drejtësisë të gjithë atë pavarësi që nuk e ka pasur që nga shpallja e pavarësisë të shtetit shqiptar në 1912.

Por ama, nga ana tjetër, krejtësisht të bindur që kjo është rruga e duhur, krejtësisht të bindur që kjo është kthesa e vërtetë historike për Shqipërinë dhe për fëmijët tanë nesër që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe të gjithë të jenë subjekt i drejtësisë kur drejtësia ka të gjithë arsyet të veprojë, sot konstatojmë se jemi në një sfidë të re.

Cila është sfida? Sfida është pavarësia e arritur duhet të garantojë dhe të garantohet nga profesionalizmi, nga standardet demokratike dhe nga garancitë për të gjithë liritë dhe të drejtat e kujtdo.

© Panorama.al

Te lidhura