Në Romë është mbyllur sot kuvendi themelues i partisë së re të ekstremit të djathtë “E Ardhmja Kombëtare” (Futuro Nazionale), e udhëhequr nga gjenerali italian Roberto Vannacci, i cili synon të krijojë një alternativë të re në krahun konservator të politikës italiane.
Në takimin dyditor morën pjesë rreth 1.700 persona, mes tyre edhe tetë deputetë të Parlamentit italian, shumica të ardhur nga partia Lega. Sipas sondazheve të para, formacioni i ri politik ka arritur tashmë mbi 5% të mbështetjes elektorale.
Nga Lega te një projekt i pavarur politik
Vannacci hyri në politikë përmes Legës së Matteo Salvinit, me të cilën u zgjodh eurodeputet. Megjithatë, më pas vendosi të shkëputej dhe të ndërtonte një forcë të re politike.
Gjatë fjalimit të tij në Romë, ai theksoi se partia do të mbajë qëndrime të forta në çështjet kryesore politike dhe shoqërore të vendit.
Programi i “E Ardhmja Kombëtare” parashikon riatdhesimin masiv të emigrantëve të paligjshëm dhe kufizimin e përfitimeve sociale edhe për emigrantët që disponojnë leje të rregullt qëndrimi.
Në lidhje me komunitetin LGBTQ+, Vannacci ka deklaruar se anëtarët e tij “nuk duhet të kërkojnë të drejta shtesë”, një qëndrim që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik italian.
Partia e tij është pozicionuar gjithashtu kundër vazhdimit të ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të saj.
Presion mbi qeverinë Meloni
Mbështetësit e Vannaccit deklarojnë se do të jenë “një gjemb në krahun e qeverisë Meloni”, ndërsa vetë lideri i ri politik pretendon se përfaqëson “të djathtën e vërtetë” në Itali.
Rritja e shpejtë e partisë së tij po shqetëson qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni dhe aleatët e saj në Lega dhe Forza Italia. Me zgjedhjet parlamentare që mund të zhvillohen brenda 15 muajve të ardhshëm, analistët vlerësojnë se Vannacci mund t’i marrë koalicionit qeverisës vota vendimtare dhe të vështirësojë formimin e një shumice të re konservatore.
Meloni kundër Vannaccit
Kryeministrja Giorgia Meloni e ka akuzuar gjeneralin se me lëvizjet e tij të para politike ka tentuar të dobësojë qeverinë dhe ka vepruar në favor të opozitës së majtë.
Nga ana tjetër, Vannacci është shprehur i gatshëm për një përballje të drejtpërdrejtë publike me Melonin, ndërsa u ka bërë thirrje deputetëve dhe senatorëve të pakënaqur të shumicës qeverisëse t’i bashkohen projektit të tij politik.
Sipas analistëve, zhvillimet e fundit mund të krijojnë probleme të veçanta për liderin e Legës, Matteo Salvini. Ministri aktual i Transportit synon të rikthehet në krye të Ministrisë së Brendshme, por disa vlerësime politike nuk përjashtojnë mundësinë që ai të vihet nën presion për të lënë drejtimin e partisë në favor të një figure më të moderuar.
© Panorama.al












