Transfertat mbeten “mollë e ndaluar” për Flamurtarin. Kjo u vërtetua në ndeshjen ndaj Teutës, ku vlonjatët nuk shkuan më larg se një barazim. Ndonëse durrsakët për 15 minutat e fundit të takimit luajtën me dhjetë lojtarë, sulmi kuqezi nuk arriti të shfrytëzonte këtë mundësi, duke qenë tejet i pasaktë para portës kundërshtare. Nisur nga kjo, tifozët kanë fajësuar lojtarët, që sipas tyre nuk dhanë maksimumin në fushën e lojës. Rreth 700 tifozë prezentë në “Niko Dovana”, janë ndier të tradhtuar nga skuadra e tyre dhe duke shkuar më tej, në dyshime ndaj skuadrës për një tolerim të qëllimshëm. Ndërkohë, në shenjë proteste për rezultatin e kësaj ndeshjeje, disa prej grupeve të tifozëve kanë vendosur t’i bojkotojnë të gjitha ndeshjet që skuadra vlonjate do të luajë jashtë deri në fund të këtij sezoni. Ata saktësojnë se ky veprim ndërmerret si një lloj mase ndaj rezultateve jo shumë të mira të arritura nga Flamurtari gjatë këtyre javëve. Por pas këtij rezultati, disa lojtarë të Flamurtarit e kanë humbur edhe statusin “e të përkëdhelurit”.











