Partia Demokratike do të zhvillojë një fushatë elektorale në dietë për zgjedhjet lokale të 8 majit.Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratua një urdhër i kryeministrit Sali Berisha, i cili ndalon përdorimin e të gjitha burimeve të administratës shtetërore nga përfaqësuesit e maxhorancës për zgjedhjet e ardhshme lokale. “Kjo është mbledhja e fundit para fushatës elektorale. E theksova këtë për dy arsye kryesore. Së pari, për maxhorancën kjo do të jetë fushatë në dietë. Kryeministri nxjerr sot një urdhër, me të cilin ndalon në mënyrë të prerë përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore, qendrore, lokale e të çfarëdo lloji, në funksion të fushatës elektorale”, u shpreh Berisha në fjalën e tij. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se gjatë 30 ditëve zyrtare të fushatës elektorale, ministrat e Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane nuk do të mund të udhëtojnë për te elektorati me makinat zyrtare, por me makinat e partisë. Në urdhrin e nxjerrë dje, heqjen e shpenzimeve shtetërore, kreu i Ekzekutivit duket se e ka nisur nga vetja, teksa para mediave ka bërë të ditur se edhe ai vetë do të udhëtojë nëpër qytete të ndryshme me një makinë të marrë me qira. “Natyrisht, ky vendim paraprihet nga një vendim tjetër i një rëndësie të jashtëzakonshme, me të cilin ne reduktuam nga mbi 3 mijë vetura publike personale në 34, pra, vetëm për krerët e institucioneve kushtetuese, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe për dy-tri raste të tjera. Kështu që, zotërinj ministra, pjesëmarrja juaj në fushatë do të jetë vetëm me fondet e përcaktuara për partinë. Unë personalisht i kërkova partisë të marrë me qira mjetin tim të transportit, por kjo do të ndodhë edhe për secilin prej jush”, u shpreh Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “ne shkojmë në këto zgjedhje me një kuadër ligjor shumë të përmirësuar. Ne kemi miratuar në Parlament ligjin e financimit të partive, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne po e nxjerrim këtë urdhër si një moment ndarjeje nga një praktikë e shkuar. Ai që kishte shumicën, kishte edhe shumicën e mjeteve. Tani e vërteta del ndryshe. Sh.p.k-ja ka shumicën e mjeteve, por ne të ndjekim atë që themi, fushatë në dietë”. Në të njëjtën kohë Kryeministri paralajmëroi edhe masa për zyrtarët e lartë që do të shkelin urdhrin. Ai u shpreh se policia do të ndalojë të gjitha makinat zyrtare që do të përdoren për fushatë, ndërsa KLSH do të ftohet të ndjekë nga afër zbatimin e urdhrit. “Policia e Shtetit do të marrë urdhër të bllokojë çdo mjet zyrtar, të cilido zyrtari në fushatë. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të gjitha institucionet e kontrollit do të ftohen të bëjnë kontrolle të rrepat mbi të gjitha fondet, të cilat mos mund të devijohen as nga pushteti qendror, as nga pushteti lokal, drejt fushave të mitingjeve, stendave dhe shpenzimeve abuzive”, u shpreh më tej kreu i Ekzekutivit. Në fund, kryeministri kërkoi që edhe punonjësit e administratës publike të zbatojnë statusin e nëpunësit civil. “Duke theksuar këtë, sigurisht, të drejtat politike të çdo qytetari prevalojnë. Punonjësit me status civil duhet të respektojnë plotësisht statusin e tyre. Punonjësit e tjerë të administratës duhet respektojnë plotësisht orarin zyrtar të tyre. Këto duhet të jenë kushtet”.
Urdhri i Kryeministrit
Ndalohet përdorimi i çdo lloj burimi të administratës shtetërore, qendrore, lokale e të çfarëdo lloji, në funksion të fushatës elektorale.
Në fushatë elektorale nuk mund të ketë asnjë targë zyrtare, përveç atyre të sigurisë dhe Gardës që përmbushin detyra të tjera.
Nga Kryeministri e çdo zyrtar tjetër, në veprimtaritë e fushatës elektorale do të marrin pjesë me shpenzimet e partisë.
Kryeministri do të marrë me qira mjetin e tij të transportit në fushatë.
Policia e Shtetit do të bllokojë çdo mjet zyrtar, të cilido zyrtari në fushatë.
KLSH dhe institucione të tjera kontrolle të rrepta mbi të gjitha fondet.
Mbledhjet e qeverisë shtyhen pasditeve
Nisja e fushatës elektorale ka ndryshuar edhe axhendën e zhvillimit të mbledhjeve të qeverisë. Për shkak të angazhimit të ministrave në fushatën elektorale, mbledhjet e Ekzekutivit do të zhvillohen pasditeve. “Qeveria do të vazhdojë funksionimin e saj me mbledhje të rregullta, por tanimë të spostuara nga ky orar. Do t’u njoftohet orari i përshtatëm që do të jetë darka, ku ne do të ndjekim rendin tonë të punës. Agjencitë do të punojnë me përkushtim të madh. Nuk mund të ndërpresim reformat për një muaj, është shumë e kushtueshme për vendin, prandaj reformat vazhdojnë”, u shpreh dje kreu i Ekzekutivit.
Mediu: Koalicioni ka prioritet pronat
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha dje se kandidatët e koalicionit të djathtë kanë prioritet çështjen e pronave. Kreu i PR-së zhvilloi dje një takim me kandidatët e kësaj partie për bashkitë dhe komunat e vendit, ku mbështeti publikisht kandidaturën e Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës. “Ne republikanët kemi qenë njerëzit e përcaktuar për pronën private. Kam kënaqësinë maksimale kur shikoj sot kandidatin për Bashkinë e Tiranës, atë të Durrësit që kanë në platformat e tyre çështjen e pronës private”, tha Mediu. Mediu u shpreh se republikanët janë krenarë sepse çështja e pronave, që është në themel të programit të PR-së, tashmë është duke u trajtuar gjerësisht nga të gjithë kandidatët e Aleancës për Qytetarin.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











