Unë gruaja, përballë!: Pse bo si gru e keqe mor burrë!

Apr 10, 2011 | 11:31

Pse bo si gru e keqe mor burrë!

Horoskopi ka një javë që më thotë se do të kem qëndrueshmëri në të gjitha fushat e jetës, takime me miq dhe nuk mohohet mundësia e ndonjë të papriture. Këtu u mbajta fort, prita e shpresova shumë. Dhe keni parë që me të vërtetë më ndodhi e ku, në kulmin e “qëndrueshmërisë” sime, në mes të trafikut. Bëja të kaloja trotuarin nga Galeria e Arteve për të shkuar tek Ministria e Mbrojtjes. Kaq shumë prita aty, saqë dëgjova nga fillimi në fund dy burra që hapën krahun dhe zbritën nga makinat e tyre. Njëri donte ta parakalonte tjetrin, po ky dukej se nuk i kishte me shumë qejf këto “numra”. Për pak ai më i bëshmi dhe më pak i durueshmi, sa nuk e fluturoi në ajër tjetrin që vazhdonte të mbronte veten se do të kalonte ku të donte. Fjalorin e shfletuan të dy. Treguan edhe historitë e familjeve të secilit (ma merr mendja se këtë do ta kenë bërë me hamendje), pastaj shanë sa mundën edhe gratë, motrat e gjithë gjininë femërore. I pashë me kujdes se mos i njihja, përndryshe do të kisha qenë edhe unë brenda listës. Faji, si gjithmonë nuk ishte as i njërit as i tjetri, por unë e kam si gur rezervë dikë në mend që mund të ketë qenë fajtori i sherrit të tyre dhe i gjithë përplasjeve që ndodhin kur të bëjnë sytë xixa në timon. Gratë e tyre. Ato i porositën që nga shtëpia t’i jepnin gaz makinës, të dilnin si cuba e të thoshin fjalët duke i theksuar të gjitha bashkëtingëlloret grykore e dhëmbore. Të dy i kishin mësuar përmendësh, se nuk ngecën te asnjëra. Bisedimet po shkonin me intensitet të admirueshëm kur ai më i frikësuari ngriti flamurin e bardhë e tha: “Pse bo si gru e keqe, mor burrë!”.
Shputa ime e këmbës së majtë në mënyrë instiktive bëri përpara në shenjë kërcënimi. U tërhoqa në pozicionin fillestar prej spektatoreje, se përndryshe do t’më ishin kthyer. Çfarë të bëja përballë tyre? Asgjë. Më vret ndërgjegjja që nuk ju mbrojta dot si gra, sado të mira apo të këqija jemi.
Përgjigjet për ta nuk mjaftojnë kurrë, sidomos kur e kanë më se të qartë se ne i bëjmë gjërat së prapthi përherë. E drejta është shtrembëruar më duket dhe në pikun e zemërimit, kur dikush thotë: “është kështu”, parulla e do t’ia kthesh me: “Ashtu është.”
Më duket se e teprova që po i jap të drejtë. Po shpresoj ta kuptojnë se femrat nuk mund të jenë të këqija kur duan ata, por jemi të këqija kur duam vetë. Titulli që kam vënë më lart, shumë shpejt do të jepet vetëm me lejen tonë, ta përdorin burrat. U lejohet vetëm në rastet kur gratë t’ua sjellin vërtetë në majë të hundës.

 

Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]

© Panorama.al

Te lidhura