Turpi social

Oct 21, 2025 | 8:21

NGA EVA SINANAJ  evasinanaj

“Për çfarë ka nevojë shoqëria jonë sot?” –është një pyetje që duhet ta bëjmë çdo ditë. Ka shumë emergjente edukimin qytetar, që rrit ndërgjegjen kolektive, empatinë dhe vullnetarizmin. Ka shumë nevojë për individë që duhen e pranohen mes veti dhe përpiqen se si t’ia lehtësojnë jetën shoku-shoqit. Shoqëria jonë e vret shumë mendjen për gjërat materiale dhe krahët politikë; e vret shumë mendjen t’ia kalojë tjetrit dhe si t’ia vështirësojë jetën. Kjo shoqëri ka harruar të dojë veten, fëmijët, familjen dhe Zotin e saj. Ka harruar rrënjët dhe vazhdimin, duke jetuar vetëm një të tashme të përplot nga jashtë dhe të zbrazët nga brenda.

Në shoqërinë shqiptare, ku shpesh ka një vlerësim të lartë për pamjen dhe suksesin e jashtëm, shprehja “askushi bën shumëkushin” merr kuptim të fortë, si kritikë ndaj atyre që duan të shiten si të rëndësishëm, ndërkohë që nuk kontribuojnë në mënyrë të vërtetë në asgjë thelbësore. Shqiptari ka një ves të keq: atje ku mendon se ka interes, lëpin dhe bëhet tapet; atje ku mendon se jo, shtyp dhe zhduk tjetrin. Filozofi e gabuar jete e kohës moderne me individë primitivë, që pengojnë dhe nuk zhvillojnë shoqërinë. Këto modele të deformuara janë patologjitë shoqërore. Nuk është turp të jetosh me qira. Turp është të jesh rrogëtar, jo biznesmen, të mos kesh as pasuri të trashëguar, e të jesh 40 vjeç e të kesh disa apartamente super të bollshme e ca dyqane. Sado e mirë të jetë një rrogë shqiptare, ngelet një rrogë. Ja do hash ca drekëdarka më shumë, ja do kesh ca veshje më të mira, ja do udhëtosh pak matanë, por asnjëherë nuk duhet të zhytesh në lukse postmoderne allashqiptare.

Nëse ke sa dhe si më sipër, asesi nuk je me fat, veçse i/e mallkuar dhe i rënë preh tundimeve postmoderne, kudo qofsh dhe kushdo qofsh ti. Kemi një problem të madh si shoqëri: nuk kemi raporte të mira me seriozitetin, ndërgjegjësimin dhe disiplinën. Ecjet për inerci janë vetëm lëvizje që nuk ruajnë ato vlera që na duhen për përcjelljen e identitetit kombëtar dhe të mirën mes nesh. Ne nuk na e ka fajin ajo e madhja, por ajo e vogla, që ndërmarrim çdo ditë të jetës sonë. Më e lehtë është të keqkuptohesh sesa të kuptohesh. E para kërkon ose një vesh që dëgjon ose një sy që lexon. E dyta kërkon edhe zemrën, edhe mendjen. Reflektim social vertikal dhe horizontal ka nevojë shoqëria për të bërë hajër. Nuk ka parfum që mbulon erën e keqe shoqërore dhe as det me privilegj që lan mëkate sociale.

* Sociologe

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura