Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka dërguar një mesazh urimi presidentit amerikan Donald Trump me rastin e ditëlindjes së tij, duke vlerësuar rolin e tij në drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Netanyahu shkroi: “Gëzuar ditëlindjen, President. Gëzuar ditëlindjen, Donald”.
Kreu i qeverisë izraelite theksoi se ditëlindja e Trump këtë vit përkon me një moment simbolik për Shtetet e Bashkuara, të cilat festojnë 250-vjetorin e pavarësisë së tyre. Ai e cilësoi Amerikën si një vend të madh, të ndërtuar mbi vlerat e lirisë dhe besimit.
Mesazh për forcimin e aleancës SHBA-Izrael
Në mesazhin e tij, Netanyahu i uroi presidentit amerikan forcë dhe vendosmëri në drejtimin e vendit.
“Të uroj të vazhdosh të kesh forcë dhe qëndrueshmëri ndërsa e udhëheq Amerikën drejt një të ardhmeje të ndritur paqeje përmes fuqisë dhe ndërsa ne vazhdojmë ta çojmë aleancën SHBA-Izrael në nivele gjithnjë e më të larta”, shkroi ai.
Deklarata e kryeministrit izraelit vjen në një periudhë të ndjeshme për Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi po përballen me sfida të shumta rajonale, përfshirë tensionet me Iranin dhe zhvillimet e fundit në Liban.
Mesazhi i Netanyahut konfirmon edhe një herë rëndësinë që të dy liderët i kushtojnë partneritetit strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, një aleancë që mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së sigurisë në rajon.
© Panorama.al












