Tuneli

Oct 8, 2017 | 13:24

EDMOND TUPJA

EdmondTupja

Disa muaj më parë te ki nema “Millennium” kisha parë “Të thyerit”, një film të Edmond Budinës. Tronditës si një tragjedi e Rasinit. Që paraqiste Shqipërinë e sotme në përmasat kryesore të fatkeqësisë së saj. Me tërë plagët e veta moderne të quajtura korrupsion, imoralitet, kriminalitet, ndotje mjedisore, krizë ekonomike e mjerim shpirtëror. Këtij filmi i kisha kushtuar asokohe një shkrim me titullin “Kushtrimi i një filmi” në hapësirën modeste të kësaj rubrike.

Të enjten e shkuar pashë, po në kinema “Millennium”, filmin “Tuneli” të Ilir Harxhit me të njëjtën tematikë. Edhe ky tronditës, por si një komedi e Molierit. Që e paraqet Shqipërinë e sotme me fasadën e saj të sheqerosur deri në neveri, e cila fsheh disa të vërteta farmak të hidhura: korrupsion, imoralitet, padrejtësi shoqërore e mjerim shpirtëror.

Tashmë vetë titulli “Tuneli” ka kuptim të mirëfilltë: në këtë film bëhet fjalë për një tunel që duhet hapur për ta lidhur fshatin X më shpejt me qytetin Y, por që nuk do të hapet kurrë, sepse fondet e nevojshme të dhëna prej qeverisë gllabërohen nga një deputet dhe një kryetar komune të babëzitur, viktimë e djallëzive të të cilëve bie edhe shoferi i Kryetarit të Shtetit, me prejardhje nga i njëjti fshat; nga ana tjetër, shikuesi ndërgjegjësohet dhe për kuptimin e figurshëm të fjalës “tunel”, sepse në fund të tunelit ku endet verbërisht vendi i tij nuk do të ketë kurrë dritë për një perspektivë jetese më të mirë, të ndershme e dinjitoze.

Është e qartë se problemi moral që ngrenë këta dy filma lidhet me disa dukuri tejet negative jo vetëm të shtetit të sotëm shqiptar, por edhe të individit të shoqërisë sonë, të atij që ndokush e ka quajtur me qesëndi homo albanicus, një specie moralisht e përçudnuar, mjerisht në shtim e sipër, e gatshme të pranojë çdo kompromis të qelbur për t’u pasuruar sadopak.

Siç e thashë në krye të këtij shkrimi, ndërsa Budina e trajton problemin me tone tragjike, Harxhi e trajton atë me tone komike. Gjithsesi, falë punës cilësore të një grupi kineastësh profesionistë dhe interpretimit të aktorëve Robert Ndrenika, Enver Petrovci, Arben Derhemi, Sokol Angjeli, Markela Dede, Naun Shundi, Mehdi Malka, Natasha Sela, Egla Harxhi, Albana Sançolli, Mërkur Bozgo, Besim Kurti e Bujar Asqeriu, pasi qesh, shikuesi, sidomos ai që u shkon thellë fjalëve e situatave komike, nganjëherë edhe groteske, e kupton se e qeshura e tij sa vjen e bëhet më e hidhët, më therëse, çka të kujton terapinë përmes së qeshurës, sepse, siç e ka përkufizuar filozofi francez Bergson, ajo, pra e qeshura, është një thyerje ekuilibri, e cila e ndërgjegjëson njeriun po aq sa pikëllimi më i thellë.

Gjithsesi, si te filmi i lartpërmendur i Budinës, ashtu edhe tek ai i Harxhit, kemi portretin njëherazi të korrupsionit e të të korruptuarve, sepse vesi nuk mund të ekzistojë pa njeriun në përgjithësi dhe atë homo albanicus në veçanti; vesit, në rastin tonë korrupsionit, shikuesi ia sheh ngjyrën dhe ia ndien erën, prandaj, edhe kur qesh, dëshpërohet që sot në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike jemi përballë një patologjie të rëndë të korrupsionit, çka, me terma të tjerë, më të thjeshtë, do të thotë se kjo plagë e gangrenizuar do të na shoqërojë gjatë në historinë e së tashmes e të së ardhmes sonë mjerane.

Nga ana tjetër, siç jam shprehur edhe lidhur me filmin e Budinës, do të ishte diçka fort e lavdërueshme sikur filmi i Harxhit të shihej masivisht qoftë në ekranin e televizionit publik shqiptar, qoftë në ekranet e televizioneve të tjera, në mënyrë që brezi i ri të ndërgjegjësohet për realitetin korruptiv në vendin tonë edhe përmes debatesh në familje, në shkollë e në hallkat e tjera të shoqërisë shqiptare, çka do të kontribuonte në pajisjen e tij me ndjenjën e revoltës së vetëdijshme qytetare kundër atyre dukurive që janë gjithashtu pjesë e bllokimit të paskrupull e të pamëshirshëm të së ardhmes së tij.

Së fundi, uroj që filmi “Tuneli”, të cilin lexueset e lexuesit e mi mund ta shohin në kinematë “Millennium”, “Cineplexx” dhe në ato të rrjetit “Imperial”, të subtitrohet në gjuhën angleze për t’u shfaqur në vende të tjera në mënyrë që opinioni ndërkombëtar të bindet se në Shqipërinë e përfshirë në vorbullën e një korrupsioni të paparë (siç e dëshmoi haptas e zyrtarisht para pak ditësh vetë ambasadori i SHBA), artistët kanë guximin intelektual dhe aftësitë e nevojshme për t’i fryrë shkëndijës së mekur të shpresës që një ditë të regëtijë më në fund një rreze drite në skajin e tunelit të frikshëm ku ka ngecur Shqipëria e asfiksuar.

© Panorama.al

Te lidhura