Rama sulmon përsëri protestuesit nga Thethi: Dalin ca koka të mëdha, sharlatanë dhe ekstremistë, nuk duan investimet!

Jul 21, 2026 | 17:17

Kryeministri Edi Rama sulmoi sot nga Thethi protestuesit që dalin në bulevardin para Kryeministrisë prej 52 ditësh dhe kërkojnë dorëheqjen e tij dhe largimin e kastës së vjetër politike, duke i akuzuar se ata nuk i duan investimet.

rama

Kreu i ekzekutivit mori shkas nga pyetjet e banorëve të zonës për Paketën e Maleve dhe shembjen e ndërtimeve vitin e kaluar, duke marrë si shembull edhe rrugën e re të Dukagjinit që do ndërtohet për t’i shërbyer zhvillimit të zonës.

Rama i fyeu përsëri protestuesit duke i cilësuar me ironi “koka të mëdha”, “sharlatanë” apo “ekstremistë”.

“Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet. Rrit ekonominë, rrit mundësinë, të rritësh fondet. Edhe shtetet e botës, demokratike apo jo demokratike, bëjnë garë kush sjell më shumë investime të huaja. Në Shqipëri dalin ça ti them, ça t’i quaj, koka të mëdha? S’janë! Dalin lloj-lloj sharlatanësh, lloj-lloj delirantësh e ekstremistësh. Ekstremistë ca të të majtës e ca të djathtë, domethënë si me kalu biçikleta dhe me e nda më dysh, e thonë nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri, nuk duam të shesim Shqipërinë. Kujt po ia shesim, kur, ku, si, kush po e blen Shqipërinë? Pse ata që janë në atë investimin e shumëdiskutuar të Katarit, që sot kanë blerë çerekun e Parisit, kanë marrë Francën me vete në Katar?! Si funksionon?”, u shpreh ai.

Më tej Rama vuri në dukje se në atë zonë dikur mungonin rruga, energjia elektrike dhe infrastruktura.

“Rrugën e Dukagjinit do ta fillojmë dhe do ta bëjmë më të bukur. Këtu nuk kishte as rrugë, as infrastrukturë dhe as ujë dhe energji elektrike”, u shpreh kryeministri.

“Do legalizojmë ndërtimet ekzistuese”- Rama: Sa ika unë shpërthyen ndërtimet e paligjshme! Paketa e Maleve e kundërta e atyre që thuhen

Kryeministri Edi Rama tha nga Thethi ku zhvilloi një takim ditën e sotme me banorët e zonës, se ai nuk kishte thënë apo premtuar se do legalizonte ndërtimet e paligjshme që po bëheshin, por vetëm ato ekzistuese.

Ndërsa mori fjalën para banorëve, kreu i qeverisë nënvizoi se ishin miratuar 11 aplikimet e para për Paketën e Maleve në zonën e Shkodrës, përfshi edhe Thethin, duke shpjeguar se Paketa e Maleve nuk është ajo që thuhet rëndom.

Kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga ministrat Ervin Demo dhe Enea Karakaçi, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci dhe zyrtarë vendorë.

“Paketa e maleve është ekzaktësisht e kundërta e atyre që thuhen. Nuk është as për oligarkë dhe as për këto që thuhen apo për asgjë tjetër. Është lëvizje për t’u dhënë mundësi trashëgimtarëve të tokave ku nuk është ndarë sipas ligjit 7501 sepse nuk e kanë pranuar atë ligj, apo që e kanë ndarë mes vedit dhe nuk kanë konflikte. Kjo është paketa e maleve, nuk është asgjë tjetër. Këtu jemi ekzaktësisht në një tokë trashëgimtarësh, që janë aplikantë dhe që kanë marrë përgjigje pozitive, mund të flasin vetë. Asgjë tjetër nga ato që thuhen nuk ka lidhje me të vërtetën”, tha kryeministri.

Më tej ai mohoi se kishte deklaruar në vizitën e tij të fundit në Theth se do lejoheshin ndërtimet e paligjshme apo se do legalizoheshin.

“Nuk kam thënë vazhdoni ndërtoni se do legalizojmë, sepse do isha në kundërshtim të ligjit. Por kam thënë se do legalizojmë ndërtimet ekzistuese apo të vjetra apo që nuk kishin letra për kullat se ishin në zona të mbrojtura. Pas vizitës time shpërtheu vala e ndërtimeve të paligjshme këtu, u godit zemra e Thethit, kartolina e Thethit. Lëndina e gjelbërt u zaptua, te kisha aty, u vunë me shpejtësi ca shtëpi druri aty, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit. Si mund t’i lejonim ne këto?”, vijoi kreu i qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura