Pas më shumë se shtatë dekadash, një ekip kërkimor ka zbuluar në fund të Oqeanit Atlantik rrënojat e fluturimit 526A të kompanisë Pan American World Airways (Pan Am), një prej aksidenteve më të njohura në historinë e aviacionit civil.
Avioni u lokalizua më 2 qershor në një thellësi prej rreth 600 metrash, rreth tetë kilometra larg brigjeve të San Juanit, në Porto Riko. Zbulimi u bë me ndihmën e një automjeti autonom nënujor, të pajisur me sonar dhe kamera me rezolucion të lartë, i cili skanoi shtratin e detit për disa ditë.
Sipas The New York Times, pamjet e para tregojnë qartë logon e Pan Am, pjesë të trupit të avionit, marshin e uljes dhe dritaret e kabinës. Studiuesit thanë se një pjesë e konsiderueshme e avionit është ruajtur në gjendje mbresëlënëse.
Tragjedia e vitit 1952
Fluturimi 526A, i njohur edhe si “Speciali i Pashkëve”, u nis nga San Juani i Porto Rikos më 11 prill 1952, me destinacion New York-un.
Më pak se nëntë minuta pas ngritjes, dy nga katër motorët e avionit Douglas DC-4 pësuan defekt. Kapiteni tentoi të kthehej në aeroport, por humbja e vazhdueshme e lartësisë e detyroi të kryente një ulje emergjente në Oqeanin Atlantik.
Të gjithë 69 personat në bord i mbijetuan përplasjes fillestare me sipërfaqen e detit. Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, pjesa e pasme e avionit u shkëput dhe ai nisi të fundosej.
Gjatë evakuimit u krijua kaos. Shumë pasagjerë nuk iu bindën urdhrit të kapitenit për të braktisur avionin dhe mbetën të lidhur në sediljet e tyre. Ndërkohë, deti i trazuar dhe frika nga peshkaqenët bënë që të tjerë të mos dilnin nga kabina.
Si pasojë, 52 persona humbën jetën, kryesisht nga mbytja, ndërsa 39 trupa nuk u gjetën kurrë.
“Pamja na la pa fjalë”
“Kur pamë fotot e para, mbetëm pa fjalë”, tha Josh Gates, prezantues i emisionit “Expedition Unknown” në Discovery Channel, i cili mori pjesë në projekt.
“Më la pa frymë, sepse ajo që pamë i tejkaloi të gjitha pritjet. Avioni është ruajtur jashtëzakonisht mirë dhe të shihje aluminin që ende shkëlqente në fund të detit ishte një pamje e pabesueshme”, u shpreh ai.
Aksidenti që ndryshoi rregullat e sigurisë në aviacion
Sipas ekspertëve, aksidenti i fluturimit 526A shënoi një pikë kthese për aviacionin civil.
Në atë kohë, instruksionet e sigurisë para fluturimit nuk ishin të detyrueshme dhe nuk ekzistonin procedura standarde për mënyrën se si pasagjerët duhej të vepronin në raste emergjente.
Pas kësaj tragjedie u vendosën rregulla të reja sigurie, të cilat u bënë baza e udhëzimeve që edhe sot u jepen pasagjerëve para çdo fluturimi.
“Ky është një aksident që riformësoi mënyrën se si funksionon aviacioni modern”, tha Gates.
Një kërkim që zgjati me vite
Gjetja e rrënojave të avionit, i njohur me emrin Clipper Endeavor, ishte një mision personal për Russ Matthews, president dhe bashkëthemelues i fondacionit jofitimprurës Air/Sea Heritage Foundation, i cili udhëhoqi kërkimet.
Ai shpjegoi se thellësia e madhe ku ndodhej avioni e bënte të pamundur ndërhyrjen e zhytësve, ndërsa moti i keq dhe pandemia e COVID-19 vonuan misionin për disa vite.
“Na u desh të prisnim dy vjet derisa të kishim mundësinë për ta realizuar kërkimin”, tha Matthews.
Automjeti autonom nënujor kreu rreth 30 misione mbi zonën ku dyshohej se ndodheshin rrënojat, duke realizuar më shumë se 350 mijë fotografi.
Ekipi kërkimor ka bërë të ditur se nuk ka në plan të rikuperojë pjesë të avionit apo të kërkojë mbetje njerëzore, duke e konsideruar vendin si një varr memorial nënujor për viktimat e tragjedisë.
© Panorama.al












