Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka anuluar sulmet e reja ushtarake ndaj Iranit vetëm tre orë para se të nisnin, duke përmendur përparim në negociatat me Teheranin dhe mundësinë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas NBC News, në momentin kur u njoftua anulimi, ushtria amerikane kishte përfunduar planifikimin e operacionit, kishte përzgjedhur objektivat dhe kishte përgatitur mjetet dhe municionet.
Nëse do të realizoheshin, sulmet do të ndiqnin të njëjtin model si goditjet e dy netëve të mëparshme ndaj objekteve ushtarake iraniane.
Megjithatë, ndryshe nga deklaratat publike të Trump për marrjen e kontrollit të ishullit Kharg, ky objektiv nuk ishte pjesë e listës së sulmeve të planifikuara. Ndryshimi i papritur i vendimit ka shkaktuar konfuzion në radhët e komandave ushtarake.
Ishulli Kharg konsiderohet pika më e rëndësishme energjetike e Iranit, pasi përmes tij kalon rreth 90% e eksporteve të naftës së vendit. I vendosur në Gjirin Persik, ai është nën kontroll të rreptë ushtarak dhe njihet si “ishulli i ndaluar”.
Ekspertët paralajmërojnë se një sulm ndaj Kharg do të përbënte një përshkallëzim të madh të krizës, duke rritur rrezikun e kundërpërgjigjeve iraniane dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.
© Panorama.al












