Aventurë e pakëndshme për një prej ikonave të futbollit brazilian. Ish-mbrojtësi Rikardo Roça, është arrestuar në aeroportin e Rio De Zhaneiros në këtë mesjavë kur po bëhej gati të hipte në avion për të udhëtuar drejt SHBA për të ndjekur Botërorin.

63-vjeçari Roça, pritej të ishte opinionist për një nga televizionet braziliane kur është ndalur nga policia e cila i ka vënë pranga dhe e ka çuar në komisariat ish-futbollistin i cili në karrierën e tij ka luajtur në klube me emër si Sporting Lisbonë, Sao Paulo, Real Madrid, Santos, Vasko da Gama, Fluminense, Flamengo dhe Njuell Old Bojz.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ai është ndaluar për një vendim gjykate familjare në Seara, pas mospagesës së një detyrimi prej rreth 403 eurosh. Ai mund të dalë nga burgu pas 45 ditësh nëse nuk ka urdhra të tjerë arrestimi ndaj tij, pasi ka shmangur pagesën e detyrimit që në fundin prillit.
Ish-futbollisti i njohur me nofkën “Sherifi” për stilin e tij të lojës agresive, ka qenë një person shumë i tërhequr në jetën private. Në Brazil është përfolur shpesh si ai ka shumë fëmijë me gra të ndryshme. Numri nuk njihet me saktësi, por duket se tashmë një nga ish-partneret e tij e ka hedhur në gjyq për detyrimet për rritjen e fëmijës, gjë që solli edhe arrestimin e tij.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











