Kualifikimi i Lacios në Ligën e Kampioneve do të kishte vlera të mëdha ekonomike për klubin, pasi do sillte në arkat e tij 25 milionë euro. Nëse ky objektiv do arrihej, atëherë edhe drejtuesit, presidenti Klaudio Lotito dhe drejtori sportiv, Igli Tare, kanë gati dy surpriza të mëdha. Siç siguron e përditshmja sportive “Gazzetta dello Sport”, Tare ka avancuar kontaktet e tij me fantazistin e Volfsburgut, Diegon, për ta rikthyer atë në Serinë A. Ish-juventini kërkon të fitojë një bast me veten, pas dështimit në Torino. Por surprizat nuk përfundojnë këtu, sepse duket që Tare ka kontaktuar me një tjetër juventin, David Trezegenë, i cili këtë verë do largohet nga spanjollët e Herkulesit.











