TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi është shprehur i zhgënjyer për mosmbajtjen e premtimit të partive politike për rritjen e përfaqësimit të grave në listat për zgjedhjet e pushtetit vendor. Gjatë ceremoninë së dorëzimit të diplomave në përfundim të Projektit mbarëkombëtar trevjeçar të OSBE-së për rritjen e rolit të grave në qeverisje: “Rritja e kapaciteteve të grave kandidate në funksion të zgjedhjeve vendore 2011”, Topi ka vlerësuar si fare minimal numrin e kandidateve femra.
“Shikoni listat e kandidatëve për kryetarë të njësive vendore apo për këshilltarë në rang bashkie dhe komune. Fatkeqësisht, kemi një kontrast të thellë midis premtimeve të partive politike për rritjen e pranisë së grave në vendimmarrjet politike dhe listave zyrtare të kandidatëve. Kontrasti është i dukshëm, sidomos në kandidimin nominal për kryetarë njësie. Numri i kandidatëve femra është fare minimal. Kjo do të thotë se partitë ende nuk e kanë shndërruar në kulturë sjelljeje barazinë dhe përfaqësimin gjinor; ende gratë shihen kandidate jo të sigurta në një mjedis politik agresiv, ku fatkeqësisht, jo gjithnjë votohet për programet dhe vlerat e kandidatëve”- tha Topi.
Ai e vlerësoi këtë si një shenjë negative, e cila duhet të na nxisë edhe më shumë për të vijuar së bashku përpjekjet për ndërgjegjësimin e aktorëve politikë dhe opinionit publik mbi nevojën e barazisë reale gjinore.
“Ndofta për këtë do të duhet të ketë përmirësime të reja ligjore për të mos lejuar dy standarde, kandidim pa kritere për zgjedhjet mazhoritare dhe kandidim me kuota të detyrueshme për listat proporcionale. Dhe për më tepër, për të korrigjuar legjislacionin në ato nene ku sanksionohen kuota të detyrueshme kandidimi, jo kuota të detyrueshme përfaqësimi në listat fituese”- tha më tej ai.
Topi ka theksuar se rritja e pranisë së grave në vendimmarrje kërkon edhe një reflektim pozitiv të vetë grave dhe strukturave të tyre përfaqësuese në partitë politike, në parlament dhe në forumet e tyre.
“Fatkeqësisht bilanci i deritanishëm ka qenë gati zhgënjyes. Nga tonet e deklarimeve, sjellja politike, retorika parlamentare apo nga konceptet e përfaqësimit, nuk kemi parë ende një diferencë pozitive midis përfaqësimit mashkullor dhe femëror parlamentar. Kjo situatë është e nevojshme të ndryshojë”- tha kreu i shtetit.
© Panorama.al











