
Kreu i shtetit vizitoi dje në spital të plagosurin e ngjarjes në Bigaz të Skraparit, Jetmir Dedajn, si dhe Majlinda Deharin, e plagosur në Uzinën e demontimit në Poliçan. Presidenti Bamir Topi u interesua te nëndrejtori i Spitalit Ushtarak, Alfred Gega, për gjendjen shëndetësore të tyre. Pasi shprehu ngushëllimet për viktimën Agim Mekollari, Topi u shpreh se procesi i demontimit, i cili po realizohet nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, është një proces që ka riskun brenda, pasi bëhet fjalë për demontimin e municioneve të vjetra. “Është një proces që ne po tentojmë ta bëjmë sipas të gjitha standardeve të NATO-s. Por, pa dyshim, sikurse ndodh me çdo profesion tjetër, edhe këtu, sidomos në këtë lloj profesioni, gjërat janë me shumë risk. Unë dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë njerëzit që merren me këtë pozicion që, duke i bërë gjërat sipas proceseve teknologjike të miratuara, të kenë dhe kujdesin e duhur, por aksidenti mbetet aksident”, pohoi presidenti Topi. Pasditen e djeshme, kreu i shtetit, njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, bëri homazhe në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura në nderim të nënoficerit të vrarë gjatë detyrës.











