Topi: Mjaft me premtime të çastit, duhen projekte

Apr 6, 2011 | 12:12

Presidenti i Republikës sulmoi ashpër dje politikën shqiptare, ndërsa e cilësoi 8 majin si ditën e rinovimit të pushtetit vendor.I ndodhur në ceremoninë e dekorimit të disa prej figurave që janë spikatur ditën e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, Topi i bëri një “skaner” politikës: “Ata që sot janë në politikë, pak prej tyre kanë qenë pjesëtarë realë të ngjarjeve të rëndësishme. Me sa duket është arti i politikës, arti i bërrylave që bën të mundur që protagonistët realë të mos zënë vendin e tyre”.
Zgjedhjet
Sipas Presidentit, është momenti që t’u bëhet thirrje të gjithëve: “Është tepruar ndoshta me këtë fjalë ‘T’u bëjmë thirrje, thirrje, thirrje’. Jo, është detyrim. Secili ka detyrim, se nuk besoj të marrë njeri ndonjë injeksion që të futet me detyrim në politikë. Jo, ka hyrë me dëshirë. Por, kur të futesh në politikë, duhet të dish minimalisht të jesh i sinqertë dhe u bëj thirrje të gjithëve që politika të jetë e sinqertë. Të jetë e sinqertë, të bëjë debatin real dhe mbas debatit të ketë produkt! Kjo është arsyeja që vazhdimisht, në mënyrë shumë frekuente dhe gjatë këtyre ditëve, unë kam bërë apel për 8 majin. 8 maji është dita e rinovimit të pushtetit vendor”. “Partitë të pranojnë rezultatin dhe qytetari e ndien që këtu mbyllet një etapë, për të filluar një etapë tjetër, që ata që kanë marrë votën e qytetarit, t’i shërbejnë qytetarit. Dhe ky shërbim nuk është falas, sepse qytetari është i mbushur me dhjetëra taksa. Pra, nuk është se politikanët na kanë në dorë jetën ne të gjithëve si qytetarë. Jo, kanë detyrimin për ta administruar taksën, sepse kështu është rregulli i demokracisë”, theksoi Topi, ndërsa më pas vijoi një tjetër kritikë: “Në mjaft raste janë bllokuar, për kapriçio, një telefonatë që vjen nga diku: ‘Shiko, mos merr pjesë ti atje’! Ndërkohë që bllokohen procedura, bllokohet zhvillimi i qytetit dhe pastaj rikthehemi. Dhe ndoshta ke të drejtë në këtë pikë, sepse sot Unaza e Tiranës është me vendimin e Kryeministrit të fundit të qeverisë komuniste, të Adil Çarçanit. Ke një të drejtë! Pra, që të mos hyjmë në situata të tilla, duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot. Jo dhunë, por debat”. Në vazhdim të mesazhit të tij për zgjedhjet, Presidenti tha se “njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte”. “Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore. Dhe projektet madhore i bëjnë njerëzit e kualifikuar, njerëzit politikanë, qytetarë, njerëz me vizion”, argumentoi Topi gjatë fjalës së tij.

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura