TIRANË- Për kreun e shtetit, Bamir Topi reforma në drejtësi nuk është vetëm kusht për integrimin në BE, por betejë e përditshme dhe sfidë për shoqërinë shqiptare. Gjatë një takimi të zhvilluar sot me Kreun e ri të Misionit të Asistencës ligjore të Bashkimit Evropian në Shqipëri, “EURALIUS III”, Joakin Urias Martinez, Topi ka theksuar se reformimi i sistemit të drejtësisë në përgjithësi, dhe atij gjyqësor në veçanti, është një nga sfidat që ka Shqipëria në procesin e integrimit të saj euroatlantik.
“Sistemi i drejtësisë është shtylla bazë e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. Si i tillë, suksesi apo dështimi i tij ka si rezultat të drejtpërdrejtë suksesin apo dështimin e vetë modelit të shtetit dhe të institucioneve demokratike që ne duam të ndërtojmë”, u shpreh Presidenti Topi.
Sipas tij, projekte dhe raporte të tilla bashkëpunimi, si “EURALIUS-i”, inkurajojnë proceset reformuese të drejtësisë dhe zgjidhjet e problemeve me të cilat përballet gjyqësori si rritja e pavarësisë dhe profesionalizmit, lufta kundër korrupsionit, çështja e imunitetit, e pronave, etj.
Kreu i shtetit vuri në dukje probleme të shfaqura me vonesat në miratimin e ligjeve të rëndësishme për drejtësinë, plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, etj
Ndërsa duke u ndalur në veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetari i Shtetit vuri në dukje faktin që ky Këshill është shprehur publikisht e në unison për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, që duhet të pasohet nga ndryshime kushtetuese dhe ligjore.
Nga ana e tij, Shefi i ri i misionit “EURALIUS III”, Martinez, theksoi se do të vijojnë bashkëpunimet e ngushta me të gjithë drejtuesit dhe ekspertët shqiptarë të drejtësisë dhe do të ndiqen nga afër nevojat dhe problematika me të cilën përballet aktualisht drejtësia shqiptare, në interes të forcimit e konsolidimit të sistemit të drejtësisë në vend.
© Panorama.al











