Topi: Lufta antikorrupsion, më e vështira

Apr 20, 2011 | 10:43

Presidenti Bamir Topi inkurajoi dje luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se kjo mbetet një nga sfidat më të rëndësishme, por edhe një nga më të vështirat për të luftuar në të gjitha format dhe për të përmbushur dorazi aspiratat integruese të Shqipërisë. Këtë inkurajim, kryetari i shtetit e shprehu në takimin që pati me kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Adriatik Llalla, si dhe drejtues të institucioneve homologe të shteteve anëtare të Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit. Duke vlerësuar dhe inkurajuar punën e ILDKP-së për çrrënjosjen e korrupsionit, ai tha gjithashtu se “në një kohë, kur lufta kundër korrupsionit është çështje themelore në aktivitetin publik dhe politik edhe të vendeve të rajonit, Shqipëria dhe institucionet e saj do të arrijnë të përballojnë të gjitha vështirësitë në luftën me pengesa kundër korrupsionit, për të arritur nivelet e standardet demokratike të vendeve të zhvilluara europiane”. Të njëjtin takim ka zhvilluar dje edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka pritur në zyrë anëtarët e Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit. Pasi falënderoi zyrtarët e lartë rajonalë, ajo tha se rëndësia  e Institucionit të Deklarimit të Pasurive është thelbësore në luftën kundër korrupsionit, konfliktit të interesave. “Transparenca dhe integriteti është kyçi”, theksoi kryeparlamentarja shqiptare, duke shtuar se legjislacioni shqiptar në këtë fushë është unik, me standarde europiane.

© Panorama.al

Te lidhura