
Vlorë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha nga Vlora se zgjedhjet e 8 majit duhet të mbyllin situatën konfliktuale politike. I shoqëruar nga ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, Eugen Volfarth dhe Ettore Sequi, kreu i shtetit zhvilloi në Universitetin e Vlorës një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët. I pyetur nga studentët se çfarë pritet të ndodhë pas 8 majit, presidenti Topi u shpreh se duhet të hapet një kapitull i ri. “Nuk do të ndodhë asgjë. Nuk do të ndodhë asgjë, por unë jam i mendimit që ditën që vjen pas zgjedhjeve, politikanët, institucionet duhet të mbyllin një kapitull. Dhe kur them ‘ditën që vjen’, nuk kam parasysh thjesht kohën fizike, 24 orë mbrapa, por si etapë, sepse po na ikën jeta. Sinqerisht po na ikën jeta duke diskutuar për zgjedhjet që ikën dhe për zgjedhjet që vijnë. Ndërkohë që zgjedhjet bëhen për të formatuar jetën tonë”, u shpreh Presidenti. Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe politikanëve që të mos e mbushin ditën duke konsumuar politikë. “Mbarojnë një palë zgjedhje, ato që zgjidhen duhet të kuptojnë që ditën mbrapa fillon një detyrë e madhe për ta. Se ju e shikoni që çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, diskutojnë vetëm dhe vetëm për politikë. Jeta ka shumë dimensione. Për fat të keq, edhe media ka filluar të ulë mundësinë e dimensionit të saj, merret nga mëngjesi. Ndonjëherë, kur bie rasti që të del gjumi edhe në 3 të natës dhe mund të hapësh televizorin, do të shohësh dikë duke folur sërish për politikë. Pra, t’i japim jetës dimensionin e vet, sepse jeta është shumë, shumë më e bukur se sa të merresh vetëm me konflikte politike”, u shpreh kreu i shtetit.
Duke folur për përgjegjësitë e partive dhe të aktorëve politikë, presidenti Topi vuri në dukje dhe u bëri thirrje partive politike të distancohen nga aktet e dhunshme. “Në kushtet kur diferencat janë kaq minimale, atëherë përse ende dëgjojmë një retorikë të ashpër përjashtuese e denigruese për njëri-tjetrin? Përse ka ende zyrtarë apo politikanë që zihen për vendosje flamurësh partiakë apo sheshe mitingjesh? Unë apeloj partitë politike të distancohen qartë dhe menjëherë ndaj çdo akti dhune e retorike kërcënuese, ndaj çdo incidenti provokues dhe dekurajues të ndërmarrë nga kandidatët apo mbështetësit e tyre elektoralë. Partitë dhe kandidatët nuk janë mbi ligjin, – ato duhet të jenë modeli i zbatimit të ligjit”, tha Topi.
Arvizu: Zgjedhje me standarde
Plotësim standardesh, fushatë e proces i qetë, vlerësim i kandidatëve përmes programit, alternativa të zhvillimit dhe argumente. Këto rekomandime janë këshilluar dje nga ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, në vizitën që zhvilloi në universitetin “Ismail Qemali”. Ai kërkoi bashkëpunim mes klasës politike, në të mirë të zhvillimit të vendit dhe në shërbim të qytetarëve. “Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për optimizëm”, tha ai, ndërsa apeloi për përmbushjen e standardeve në këto zgjedhje. Në fjalën e tij para studentëve, Arvizu dha shembuj nga praktika zgjedhore në SHBA, mënyrën e votimit të buxhetit elektoral etj.
Sequi: Partitë të distancohen nga dhuna
“Qytetarët dhe partitë politike të distancohen nga veprimet e dhunshme në fushatë”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme nga Vlora e kreut të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, teksa zhvilloi dje një vizitë pune në universitetin “Ismail Qemali”. Sipas tij, fushata e vërtetë është ajo pas 8 majit, kur të zgjedhurit e ardhshëm në bashki dhe komuna do të duhet të mbajnë premtimet e bëra në fushatën elektorale. Ndërkaq, ai u ka bërë thirrje studentëve që të studiojnë dhe punojnë për të ardhmen, pasi, siç tha ai, “Europa është në anën tuaj, por puna duhet të bëhet nga vetë ju”.
Volfarth: Gara përmes programeve
Nga Universiteti i Vlorës, ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, u ka bërë një apel kandidatëve për kryetarë bashkish e komunash në zgjedhjet vendore të 8 majit, se ata nuk duhet të bien pre e interesave politike, por të garojnë me programe të qarta për të për të përmirësuar jetën e qytetarëve. “Vetëm gara me programe për qytetarët dhe zhvillimin e qyteteve mund t’i shndërrojë zgjedhjet në një garë të vërtetë, përndryshe ato janë një konkurs bukurie. Nuk mendoj se është mirë kur zgjedhje të tilla shndërrohen në një lloj konkursi bukurie politik midis drejtuesit A të një partie politike dhe drejtuesit B të një partie tjetër”. Po ashtu, Volfarth u tërhoqi vëmendjen liderëve të partive politike, duke theksuar se “të dyja palët arritën në një farë mënyre të gjejnë konsensus në pranverën e vitit 2008, kështu mund ta bëjnë përsëri, nëse duan vërtet”.











