Studentët që ndjekin Master Shkencor apo Profesional, mund ta mbrojnë Anglishten në Universitetin e Tiranës.Tashmë jo thjesht me standardet e ofruara në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ashtu siç e kërkon ligji i arsimit të lartë, ata do të mund të marrin diplomën e TOEFL-it dhe TOEIC, të njohura ndërkombëtarisht. Do të paguajnë tarifa më të lira nga ato që jepen aktualisht për të marrë këto dëshmi. Mesatarisht, një studenti i duhen 600 euro për t’u futur në testim. Pas ndryshimit të ligjit, që vuri kusht mbrojtjen e Anglishtes me teste ndërkombëtare, nisën ankesat e para të studentëve për tarifat e larta. Mbështetje ata patën edhe prej stafit akademik. MASH nuk dha asnjë udhëzim të mëtejshëm. Pak javë më parë nisi gara e 3 universiteteve për të marrë ekskluzivitetin e TOEFL-it. Prej tyre dy ishin private dhe Universiteti i Tiranës, që kishte më shumë shanse edhe për shkak të traditës 60-vjeçare të krijimit. Zyrtarisht gara është mbyllur, ndërsa marrëveshja firmoset sot. Nga sa bën me dije UT, rektori Dhori Kule dhe drejtori i Përgjithshëm, Zoubir Yazid, i ETS Global, firmosin marrëveshjen e shumëpritur. ETS global prodhon dhe ofron testime nga më prestigjiozet në fusha të ndryshme, duke nisur nga testimet për mbrojtjen e gjuhëve të huaja, ku për Anglishten ofrohet testimi “TOEFL” dhe “TOEIC”, më i njohuri ndërkombëtarisht. Përpos tyre ofron dhe testime të tjera të njohura ndërkombëtarisht për Frëngjishten dhe Gjermanishten. Gjithashtu ofron testime dhe në fusha specifike, si: në Ekonomi, Teknologji dhe Informacion, Teste për Administratën Publike, si dhe testime për bizneset private sipas kërkesave specifike që ata kanë. ETS është në pararojë të prodhimit dhe ofrimit të Testimeve Psikometrike në botë. Kurse të tilla të ofruara në Universitetin e Tiranës do t’u mundësojnë studentëve, veç garancisë për cilësinë, edhe tarifa më të ulëta nga sa kanë paguar deri tani. Detajet e tjera që parashikon marrëveshja me UT pritet të bëhen publike sot gjatë ceremonisë që do të mbahet enkas për këtë ngjarje jo pak të rëndësishme në komunitetin universitar të vendit tonë.
Universitetet do të paguajnë 4 milionë lekë për akreditimin
Përcaktohen tarifat për vlerësimin dhe akreditimin e shkollave të larta. Ndryshe nga më parë, Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë ka shtuar gamën e shërbimeve. Tarifat për universitetet do të jenë të kripura. Ndryshe nga udhëzimi i kaluar, ku MASH përcaktonte një tarifë bazë për vlerësimin dhe akreditimin akademik dhe institucional për çdo program, e cila ishte 600 000 lekë, tani tarifat janë të ndara. Ato do të paguhen sipas shërbimit që do të ofrohet dhe variojnë nga 600 mijë deri në 4 milionë lekë për akreditimin e plotë. “Të ardhurat e arkëtuara nga shërbimet e realizuara nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë shpërndahen: 10% në Buxhetin e Shtetit dhe 90% në buxhetin e Agjencisë”, thuhet në udhëzim. Të ardhurat që sigurohen nga këto shërbime do të përdoren për pagesën e ekspertëve të jashtëm, vendas ose të huaj dhe konsulentëve, të cilët janë kontraktuar nga APAAL, për të mbuluar shpenzimet operative dhe të funksionimit të Këshillit të Akreditimit, për pagesën e tarifave të anëtarësimit në organizata ose institucioneve ndërkombëtare dhe për pagesën e anëtarëve të Këshillit të Akreditimit dhe shpenzimet e tjera të tij.
Tarifat
• Vlerësimi i aplikimit dhe paraakreditimi institucional për hapjen e institucionit të arsimit të lartë 2 000 000 lekë
• Vlerësimi i aplikimit dhe paraakreditimi institucional për hapjen e filialit ose njësisë kryesore 1 500 000 lekë
• Vlerësimi i aplikimit dhe paraakreditimi i një programi të ri studimi të ciklit të parë 400 000 lekë
• Vlerësimi i aplikimit dhe paraakreditimi i një programi të ri studimi të ciklit të dytë 600 000 lekë
• Vlerësimi i aplikimit dhe paraakreditimi i një programi të ri studimi të ciklit të tretë 800 000 lekë.
Tarifat për shërbimet
• Vlerësimi i jashtëm dhe akreditimi institucional i institucionit të arsimit të lartë 4 000 000 lekë
• Vlerësimi i jashtëm dhe akredititmi institucional i filialit ose njësisë kryesore 3 000 000 lekë
• Vlerësimi i jashtëm dhe akreditimi institucional i një programi të ri studimi të ciklit të parë 600 000 lekë
• Vlerësimi i jashtëm dhe akreditimi institucional i një programi të ri studimi të ciklit të dytë 800 000 lekë
• Vlerësimi i jashtëm dhe akreditimi institucional
i një programi të ri studimi të ciklit të tretë
1 000 000 lekë.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











