Tiranë-Elbasan, nis puna për tunelin

Apr 30, 2011 | 9:39
Ceremonia e fillimit të punimeve të tunelit

Makinat që kalojnë nga Qafa e Kërrabës, nga dje kanë filluar numërimin mbrapsht. Nga dje, Tirana dhe Elbasani po presin ditën kur largësia mes tyre të jetë vetëm 15 minuta.Ashtu si në tunelin e Kalimashit, në vitin 2007, ka qenë vetë Berisha, i cili simbolikisht ka shtypur butonin e shpërthimit të parë në malin e Kërrabës. Por, ndryshe nga Kalimashi, ngjyrat simbolike të shpërthimit kanë qenë rozë dhe blu, si ato të koalicionit qeveritar.
Berisha
Kreu i qeverisë, në fjalën e tij, e ka konsideruar autostradën Tiranë-Elbasan si projektin e dytë infrastrukturor më të rëndësishëm ndërkombëtar dhe segmentin më nevralgjik të Korridorit të 8-të. Duke e vlerësuar këtë si një vepër që do të japë efekt direkt në zonën e Elbasanit dhe atë të Tiranës sa i përket zhvillimit ekonomik, por nuk ka përjashtuar edhe njëherë turizmin nga ky kuadër. “Autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve, që janë ndër më të rëndësishmet, ndër më të bukurat. Autostrada Tiranë – Elbasan fuqizon tregun në tërësi, pasi fermerët e mrekullueshëm të Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Gramshit, Dumresë, do të kenë mundësinë të arrijnë në Tirane në një kohë të përafërt me atë kohë që kapin epiqendrat e rretheve të tyre”, tha Berisha. Duke mos dalë nga korniza elektorale në të cilën ndodhemi, kreu i qeverisë ka theksuar se në vitin 2013, kur pritet të përfundojë ndërtimi i tunelit Tiranë-Elbasan, do të jenë dy kryebashkiakë të rinj që do të presin shiritin, Durim Hushi dhe Lulzim Basha. “Shpreh bindjen time se një pranverë tjetër shumë e afërt, pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe se me këtë akt madhor do të presin shiritin dy qytetarët e parë të Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Elbasanit, zoti Lulzim Basha, të cilin unë dua ta falënderoj në mënyrë të posaçme, sepse ishte ai që në vitin 2009,  me fushatën e tij elektorale, ndjeu, përjetoi forcën, fuqinë e ëndrrës së qytetarëve të Elbasanit. Ai u angazhua për këtë edhe me princin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me ministrin e Jashtëm. Ai shpejtoi dhe garantoi financimin e kësaj vepre”, tha Berisha. Në fund ai nuk kurseu as batutat për kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. Duke vlerësuar shkurtimin e kohës së udhëtimit që do të arrihet me ndërtimin e këtyre veprave, Berisha u shpreh se secili nga qytetarët e këtij rajoni do të arrijë në kryeqytet me rreth 60-70 për qind të kohës më shpejt sesa arrin sot.  “Pastaj, kryetari i opozitës, nëse do të jetë deri atëherë, do të thotë se Berisha udhëton me reaktivë e jo më me helikopter. Nuk kam ç’t’i bëj, i ka mbetur mendja te rrugët e vjetra. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugët e vjetra”, ironizoi Berisha.

83 milione usd
është vlera me të cilën kompania greke “Actor” fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të autostradës. Vlera fillestare ishte parashikuar rreth 150 milionë dollarë, pa TVSH

Autostrada Tiranë-Elbasan

Rruga
1. Segmenti nga Unaza e Madhe deri te Natyra e Qetë
Tenderi i zhvilluar më 19 korrik 2010
Fituese, kompania “Albstar & IDK Konstruksion”
Afati i punimeve 24 muaj
Vlera e projektit 15 milionë dollarë

2. Tuneli i autostradës Tiranë-Elbasan
Tenderi i zhvilluar më 3 mars
Fituese kompania greke “Actor”
Afati i punimeve 18 muaj
Vlera e kontratës 83 milionë dollarë

3. Segmenti nga “Natyra e Qetë” te tuneli + segmenti nga tuneli në Elbasan
Është në fazë shprehjeje interesi dhe parakualifikuese
Do të tenderohen në fund të muajit qershor
Vlera nuk është përcaktuar ende

Konsultimet
1. Mbikëqyrje punimesh, ndërtim tuneli Tiranë-Elbasan
Tenderi i zhvilluar më 3 mars 2011
Fituese kompania “IRD Engineering srl”
Afati i kontratës 18 muaj
Vlera e kontratës 2 milionë dollarë

2. Studim, projektim, ndërtim rruga Tiranë – Elbasan (dublimi dhe plotësimi i segmentit Ibë – Elbasan)
Data e lidhjes së kontratës 21 mars 2011
Fituese kompania “GEOSAT + ICE sh.p.k.”
Vlera e kontratës 1.3 milionë dollarë me TVSH

Hushi: Autostrada do të sjellë zhvillim

Kandidati i Aleancës për Qytetarin për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, i pranishëm dje gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të tunelit të autostradës, e ka vlerësuar pozitivisht këtë projekt në total. Sipas Hushit, ky projekt është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Elbasanit. “Është fillimi i një projekti të ri, është projekti i ndryshimit në Elbasan, i ndryshimeve të mëdha pozitive, është projekt, i cili në Elbasan sjell zhvillim dhe punësim”, tha Hushi. Ndërkaq, lidhur me projektet e tij politike për Elbasanin si kandidat për Bashkinë e këtij qyteti, ai ka theksuar do t’i jepet ritmi dhe dinamizmi që ky projekt kërkon me ndërtimin e kësaj vepre, pra do të përgatitet terreni për ndryshimet që do të vijnë me këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura