Një 50-vjeçar u ekzekutua me gjashtë plumba teksa priste të fillonte një ndeshje futbolli në një lokal loto-sporti në Tiranë.Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20 të mbrëmjes së djeshme, në një rrugicë mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe bllokut të ambasadave. Viktima është Sulejman Haxhiu, i cili punonte si shofer në një televizion në kryeqytet. Grupi hetimor që ka kryer veprimet paraprake në vendin e ngjarjes dyshon se vrasja e Haxhiut lidhet me vrasjen e djalit të tij të vetëm, Artan Haxhiu, i cili u ekzekutua dy vjet më parë në Holandë. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një vrasje për motive hakmarrjeje, por brenda pak minutash grupi hetimor verifikoi se Sulejman Haxhiu ishte person pa precedentë penalë dhe nuk rezultoi që të kishte marrë hak për vrasjen e të birit. Aktualisht, e vetmja pistë që po verifikohet për të shpjeguar motivet e ngjarjes është veprimtaria e djalit të tij jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe, sipas policisë, vrasjet e babë e bir, pavarësisht se kanë ndodhur në një distancë 2-vjeçare, janë të porositura nga të njëjtët persona. Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2 dhe të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës kanë mbledhur provat në vendin e ngjarjes dhe në lokalin loto-sport janë gjetur 6 gëzhoja, që dyshohet se i përkasin një arme tip pistoletë.
SKEMA E NGJARJES
Rreth orës 21:20, kur 50-vjeçari Sulejman Haxhiu po priste bashkë me disa shokë të tij që të shihte ndeshjen e futbollit në një lokal loto-sport, në katin e parë të pallatit ku banonte, një person është futur dhe i ka drejtuar armën pa folur me asnjë njeri tjetër. Siç tregojnë dëshmitarët, me shumë gjakftohtësi autori e ka shkrepur pistoletën gjashtë herë duke e goditur Haxhiun në trup dhe menjëherë është larguar me nxitim nga lokali. Sipas versionit që dëshmitarët kanë dhënë në polici, autori ka qenë i pashoqëruar dhe ka lëvizur në këmbë nga lokali në rrugicën që të çon drejt bllokut të ambasadave. Në atë kohë, shokët me të cilët ishte në tavolinë viktima kanë parë se ai merrte frymë ende dhe e kanë nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak me makinën njërit prej tyre. Por ka qenë e pamundur që mjekët të ndërhynin për t’i shpëtuar jetën 50-vjeçarit, pasi ai kishte ndërruar jetë para se ta zbrisnin nga makina.
ETLEVA DELIA











