Tiranë, arrestohet 39-vjeçarja e kërkuar për vjedhje me mashtrim

Apr 5, 2011 | 12:18

TIRANE – Bie në prangat e policisë 39-vjeçarja e shpallur në kërkim me akuzën e “vjedhjes me anë të mashtrimit”, shtetasja Adelina Hoxhaj. Lajmi është pohuar dje nga burime zyrtare të policisë së Tiranës, të cilat thanë se e shpallura në kërkim u arrestua nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar. Efektivat e këtij seksioni bënë të mundur ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen Adelina Fadil Hoxhaj, 39 vjeç, banuese në Tiranë. Policia tha se në ngarkim të kësaj shtetaseje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të formës së prerë së datës 31 mars 2009, ka dhënë dënimin 3 vjet burgim, për veprën penale të “mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal. Policia tha se ndaj 39-vjeçares ishte dhënë edhe një dënim i dytë në mungesë. Ajo mësohet se është dënuar në vitin 2010 me 2 muaj burg dhe 200 mijë lekë gjobë, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Duke u premtuar katër personave biznes të përbashkët në një kompani që do të ofronte shërbime furnizimi për burgjet, e arrestuara mësohet se ka përvetësuar prej tyre një shumë rreth 500 mijë lekësh të reja dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Personat e dëmtuar nga kjo skemë mashtrimi janë paraqitur menjëherë në polici dhe kanë denoncuar ngjarjen, ndërkohë që ndaj shtetases Adelina Hoxhaj kanë filluar hetimet. Ajo është hetuar dhe gjykuar në mungesë në Gjykatën e Tiranës, e cila ka vendosur dënimin e saj me tri vjet burg për veprën penale të kryer.

© Panorama.al

Te lidhura