Pas pothuajse një muaji Tirana do të ketë kryebashkiakun e ri të saj, qoftë ky z. Basha apo z. Rama. Megjithatë, këto zgjedhje nuk janë thjesht zgjedhjet administrative të radhës ku kandidatët shpalosin platformat dhe kërkojnë votën qytetare. Jo, këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për të ardhmen e qytetit, për mënyrën se si ai do të zhvillohet, për ekonominë vendore dhe punësimin, për mjedisin, pastrimin, trafikun, koston e jetesës dhe zbavitjen, pra, me pak fjalë, për gjithçka që ka lidhje me nivelin e jetesës dhe zhvillimit social të kryeqendrës së Shqipërisë. Dhe meqenëse Tirana sot është motori ekonomik i vendit, qyteti ku është akumuluar inteligjenca dhe elita, qyteti i cili jep i pari imazhin dhe formëson përshtypjen tek të gjithë vizitorët e huaj, nuk do ta teproja aspak ndërsa do të thosha që rezultati i zgjedhjeve nuk do të vendosë vetëm të ardhmen e kryeqytetit, por, në një farë mënyre, edhe të të gjithë vendit.
Pasi ka njohur për 11 vite rresht administratën aktuale dhe të njëjtin kryebashkiak, sot, për fat të keq, Tirana përballet me çështje shumë delikate dhe të vështira, me problematikë të akumuluar prej vitesh e vitesh dhe asnjëherë të zgjidhur. Këto çështje dhe problematika kanë arritur në nivelin e tyre kritik, i cili, me fjalë më të varfra, do të thotë që nëse nuk merr zgjidhje tani, ndoshta pas një viti do të jetë shumë vonë.
Le të marrim për shembull çështjen e mungesës së hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Sado krijues që të jesh, është përsëri shumë e vështirë të projektosh sot brenda qytetit hapësira të gjelbra, të cilat duhet të ishin projektuar vite e vite më parë, gjithmonë nëse një plan urbanistik rregullues do të kishte ekzistuar. Por, siç edhe të gjithë jemi në dijeni, një plan i tillë nuk ekziston ende edhe sot dhe me shumë gjasa, nëse z. Rama do të rikonfirmohet, ky plan nuk do të ekzistojë edhe për katër vite të tjera.
Mungesa e planit rregullues në vetvete është në thelb burimi i një pjese shumë të madhe të problematikës së akumuluar të Tiranës, që fillon me mungesën e hapësirave të gjelbra e deri te potencialet ekonomike në tkurrje të kryeqytetit. Pse e them këtë? Sepse sot investitorët e huaj, por edhe vendasit, ata të cilët kanë mjetet e duhura për të krijuar punësim dhe, për rrjedhojë, mirëqenie ekonomike dhe sociale, e kanë të pamundur të realizojnë investimet e tyre në Tiranë, sepse asnjë sipërfaqe nuk është projektuar/programuar si e tillë për këtë qëllim. Pra, mungon një plan rregullator. Kjo është arsyeja që investitorët preferojnë të largohen nga Tirana në drejtim të Durrësit. Ndërkaq, komunat që administrojnë këto sipërfaqe kanë parametra të punësimit dhe të të ardhurave për fryme shumë më të larta se sa periferitë e Tiranës.
Në disa zona periferike të Tiranës papunësia arrin deri edhe në 60%, pra afërsisht 5 herë më e lartë sesa ajo e mesatares së vendit. Por a është e mundur të zhvillohet Tirana në këtë mënyrë, kur qendra dhe periferia e saj prezantojnë një diferencë kaq tragjike? Sigurisht që jo! Realitete të tilla kthehen në burime të problematikave të thella sociale, të tilla që mund të dëmtojë seriozisht në të ardhmen të gjithë kryeqytetin në ekuilibrin e tij psiko-social.
Pra ky është vetëm një shembull se si administrata e sotme ka “kontribuuar” në mungesën e zgjidhjeve dhe akumulimin e problematikës së mprehtë dhe thuajse të papërballueshme të qytetit.
Në këto ditë që do të vijnë do të vendoset e ardhmja e Tiranës. Për shumë e shumë çështje kaq të rëndësishme, Tirana qëndron në udhëkryq. Jo sepse ajo nuk e di se çfarë rruge të marrë, përkundrazi. Por sepse, nëse konfirmohet e njëjta administratë dhe i njëjti vullnet politik, atëherë çështjet e akumuluara mund të bëhen të tilla sa në krye të disa kohëve të mos marrim më dot zgjidhje të arsyeshme, me gjithë dëshirën apo vullnetin e mirë të gjithkujt. Po mundohem ta ilustroj këtë argument: Problemi i trafikut në Tiranë. Sot gërmohet në mes të Tiranës që prej disa muajsh dhe asnjë nuk e di se çfarë do të ndodhë me këto punime, madje edhe se kur ato do të mbarojnë. Edhe më shqetësues është fakti që qytetarët e Tiranës nuk e kanë idenë se ç’po ndodh në qendër të qytetit të tyre, madje të kryeqytetit të vendit. Cili është projekti? Si do të zbatohet ai? Si do të përballohet trafiku në qendër nëse zona kthehet në pedonale? A do të kthehet në pedonale e gjitha, apo gjysma e saj? A do të ketë në të pallate të ngritura shumëkatëshe, apo jo?
Të gjitha këto pyetje rrjedhin natyrshëm nga situata aktuale. Kryetari i Bashkisë refuzoi të miratojë planin e tij për qendrën në KRRTRSH; niveli i nevojshëm për transparencën qytetare nuk u plotësua, përkundrazi. Sikur dikush të guxonte të gërmonte në qendër të Parisit, Romës (të cilat, meqenëse ra fjala, e lejojnë trafikun të rrjedhë normalisht), të jemi të sigurt se vetëm procesi i transparencës dhe konsultimit të publikut do të zgjaste disa vjet, e pastaj, me siguri, do të kishim një referendum, i cili ndoshta mund t‘u hapte rrugë punimeve. Ndërsa i gjithë ky proces në Tiranën tonë me në krye z. Rama, filloi e mbaroi brenda 30 ditësh. Çfarë standardi për të ardhur keq!
Por, shqetësimi nuk mbaron këtu. Nëse z. Rama konfirmohet, atëherë çështja e trafikut do të mbetet përherë një ngërç real, i cili nuk do të mund të kthehet më mbrapsht në çfarëdo mënyre. Prandaj Tirana është në udhëkryq, sepse konfirmimi i z. Rama nuk do të sillte veçse një zvarritje tjetër të vuajtshme të qytetit edhe për të paktën 2 vjet, derisa ai të hiqte dorë nga posti për të kandiduar në krye të listës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.
Nga ana tjetër, ajo që të frikëson vërtet është mungesa e një programi të qartë të z. Rama, i cili ka në merakun e tij primar të sulmojë kandidaturën e z. Basha, por asnjëherë të thotë se çfarë ka ndër mend të bëjë në këtë mandat të katërt. Madje, së fundi, slogani e tij “Berisha të harrojë Tiranën”, është deri diku qëndrim kamikaz. Z. Rama shfaqet në veshjen dhe rolin e Vrana Kontit, i cili nuk lejoi që kështjella të binte në duar të pushtuesve turq dhe e mbrojti atë me armë deri në fund. Por këtij heroi të nderuar shqiptar që luftonte kundër pushtuesit 500 vjet më parë, me siguri që nuk i shkonte ndër mend që 5 shekuj më vonë, të njëjtin qëndrim do të mbante edhe kryetari aktual i Bashkisë së kryeqytetit.
Z. Rama do të duhet të rendisë arritjet dhe zotimet e tij për këtë mandat të ri që kërkon. Mungesa e njërës apo e të dyjave nuk e justifikon atë të përdorë këtë gjuhë të vjetruar tashmë, dhe as t’i frikësojë qytetarët duke thënë se Berisha (në fakt duhet të thoshte Basha), nuk e pushton dot kalanë e tij, të cilin ai ka tash një dekadë që e ka në pronësi dhe nuk ka ndër mend t‘ia lërë askujt!
Kjo pra është arsyeja e fortë përse një kryeqytetas nuk duhet më të votojë për z. Rama. Por ka edhe një arsye tjetër: kandidati Basha po trajton me guxim temat kritike për qytetin, po ballafaqohet me to pa pasur frikë nga kompleksiteti i tyre. Shpresoj shumë që ai të vazhdojë në këtë mënyrë, madje të paraqesë një platformë me zgjidhje edhe më konkrete dhe mundësisht të kostuara, në mënyrë që të gjithë ne të kuptojmë se çfarë do të ndodhë nëse ai do të behet kryebashkiaku i ri i qytetit.
Jetojmë në kohëra normale dhe kemi nevojë për udhëheqës normalë. Kush barazohet me Vrana Kontin në një kontekst 500 vite më vonë, sigurisht, nuk e meriton më votën dhe respektin e qytetarëve të Tiranës.
© Panorama.al












