Tirana-Dinamo është finalja e edicionit të sivjetmë të Kupës së Shqipërisë, ndeshje e cila ishte parashikuar të luhej më 8 maj, por duke qenë se përkon me ditën e zgjedhjeve, me siguri do zhvillohet në një datë tjetër.Bardheblutë eliminuan Besën me rezultatin e përgjithshëm 2-1. Pasi kishin fituar 1-0 ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” (autogol i Bledar Mancakut), 13 herë fituesit e Kupës barazuan dje 1-1 në takimin e kthimit në stadiumin e Kavajës. Braziliani i Besës, Markos Dos Santos, shënoi i pari në minutën e 23-të, edhe falë një gafe të mbrojtësit të Tiranës, Elvis Sina, duke shtuar ndjeshëm shpresat e Besës për një përmbysje. Madje, tetë minuta më vonë, por Do Santos i shkoi shumë pranë dyfishimit të rezultatit dhe çuditërisht me portë thuajse bosh nuk arriti të shënojë. Në pjesën e dytë, Tirana hyri në fushë me disa zëvendësime dhe me një tjetër ritëm loje, ndaj në minutën e 65-të, falë një aksioni i tëri “shkodran” (gjuan Gilman Lika, grushton Kotorri dhe aty Bala me kokë shënon) arrin që të barazojë, duke siguruar kualifikimin për në finale. Nga ai moment Besës i duheshin dy gola për t’u kualifikuar, por me gjithë rastet e shumta, kavajasit nuk arritën as ta fitonin këtë takim. Gjatë rrugës për në finale, Tirana eliminoi Skraparin (1-0, 4-0), Adën e Velipojës (3-0, 2-2) dhe Bylisin (1-2, 5-1). Kjo është hera e 21-të e bardhebluve në finale. Në 20-t të parat Tirana e ka fituar 13 herë trofeun (për herë të fundit, në 2006-ën ndaj Vllaznisë 1-0).
Dinamo arriti pas shtatë vjetësh në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në 2004-ën, blutë e kryeqytetit u mundën në finale nga Partizani 1-0 (gol i lezhjanit Henri Ndreka, në minutën e 12-të). Vllaznia, e cila mbërriti dje në Tiranë pas fitores 2-1 në “Loro Boriçi”, shpërdoroi dy raste ekstreme me Xhevair Sukajn, në pjesën e parë dhe Armando Vajushin, në fund të pjesës së dytë, duke humbur kështu shansin për të përsëritur finalen e 2008-ës ndaj Tiranës. Golin e vetëm të takimit të djeshëm e shënoi sulmuesi serb Mlladen Brkiç, në minutën e 21-të, duke shfrytëzuar në maksimum asistin e sulmuesit argjentinas, Nestor Martinena (ky i fundit shënoi edhe golin e Dinamos në takimin e parë në Shkodër). Me rezultatin e përgjithshëm 2-2, por me gol në fushë kundërshtare, Dinamo u kualifikua për herë të 19-të në finale, nga ku ka dalë fituese 13 herë. Për herë të fundit, Dinamo e ka fituar Kupën e Shqipërisë në edicionin 2002-2003, në finale kundër Teutës së Durrësit. Ndërkohë që ndaj Tiranës ka luajtur finalen e 2002-it nga ku doli e humbur (1-0, gol i Indrit Fortuzit).
Besa-Tirana 1-1 (0-1)
Shënues: Do Santos 23’/ Balaj 65′
Kartonë të verdhë: Dhëmbi, Lazarevski, Nora/ Osmani, Dabulla
Gjyqtarë: Bardhyl Pashaj/ D.Rexha dhe E.Barushi
Besa: Kotorri, Shameti, Krasniqi, Lazarevski, Hoxha, Dos Santos, Dhëmbi, Mancaku (Duka 76′), Shtini (Hasa 81′), Nora, F.Sefa. Trajner: Gert Haxhiu
Tirana: I.Lika, Lila, Osmani, Dabulla, Sina, Dushku (G.Muça 46′), Zizoviç (Pashaj 76′), Lilaj, Hyka, Balaj, G.Lika (Gvozdenoviç 89′). Trajner: Misho Kristiçeviç
Dinamo-Vllaznia 1-0 (1-2)
Shënues: Bërkiç 21′
Kartonë të verdhë: Bërkiç 72′, Vila 89′, Hoxha 90’+1/Sykaj 83′
Gjyqtarë: Lorenc Jemini/ E.Doda dhe G.Qirici
Dinamo: Hoxha, Pisha, Miloviç, Malakarne, Ambure, Opoku (Malota 87′), Allmuça, Orelesi, Vila, Bërkiç (Xhafa 81′), Martinena (Peqini 90′) Trajner: Artan Mërgjyshi
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Rajoviç, Sykaj, Jasiç, Shtubina (Nallbani 67′), Gocaj, Belisha, Abraham (Sinani 46′), Sukaj, Vajushi
Trajner: Mirel Josa
Balaj: Jam i lumtur, ky goli i vazhdimësisë
Ka shënuar një gol të artë për Tiranën, të parin që nga momenti kur ka veshur këtë fanellë në merkaton e janarit. Megjithëse gjatë gjithë ndeshjes nuk ishte në lartësinë e duhur dhe nuk rrezikoi asnjëherë portën e Besës, në momentin e parë që iu paraqit rasti, ai shënoi pa hezituar. “Ishte një gol që më ka gëzuar pa masë, pasi tani, në finale. Ishte një gol që e kërkova gjatë gjithë ndeshjes dhe shpresoj që të më sjellë fat në karrierën time me Tiranën. Shpresoj që të jetë një gol vazhdimësie për mua, sepse kam vërtet “uri” që të shënoj. Tani jemi në finale dhe shpresoj që të marrim këtë trofe”, tha Bekim Balaj, pas ndeshjes.
Dos Santos: Gol “i hidhur”, doja kualifikimin
Sulmuesi brazilian, Marko Dos Santos ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Besën. Madje ai ka qenë autor i golit të parë në të 23-ën, por shënjestra e tij nuk shërbeu që Besa të shkonte në finale. “E kisha deklaruar se mund ta mundnim Tiranën dhe se do të shënoja, por për fat të keq u realizua kjo e dyta. Unë doja që të kualifikoheshin dhe që të arrija ta fitoja trofeun e Kupës. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, por u ndëshkuam atëherë kur nuk duhej. Nuk duhet të kishte përfunduar kështu kjo ndeshje, pasi ne kishim të gjitha mundësitë për të shkuar në finale”, u shpreh i mërzitur sulmuesi i Besës.
Premio, lojtarët përfitojnë 20 mijë dollarë
Dinamovitët, me kualifikimin e djeshëm në finalen e Kupës së Shqipërisë, kanë bërë të vetin premion e akorduar nga presidenti i bluve, Besnik Sulaj. Nuk është një shumë e pakët, por 20 mijë dollarë, blutë, brenda këtyre ditëve, do të mund t’i fusin në xhepat e tyre. Dhe festa ka nisur në fushë me tifozët, ka vazhduar në dhomat e zhveshjes, atje ku ka pasur thirrje të lojtarëve, por dhe muzikë, e ka vazhduar dhe në dalje të stadiumit. Administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka përgëzuar lojtarët për kalimin në finale dhe ka konfirmuar dhënien e këtij shpërblimi në ditët në vazhdim.
Halili: Do jap shpërblim vetëm për finalen
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk e ka fshehur gëzimin për arritjen e finales së Kupës së Shqipërisë, duke e konsideruar këtë si një objektiv që duhet ende të bëhet realitet edhe me fitimin e saj. “Sigurisht që më vjen mirë që u kualifikuam, ndoshta jo me një lojë spektakolare, por që mjaftoi për të na çuar në finale. Mendoj që tani lojtarët e Tiranës duhet të bëhen më të përgjegjshëm, pasi do ishte fatale për ta që të humbnin në finale me Dinamon. Pikërisht për këtë arsye unë kam vendosur që shpërblim do të jap vetëm pas arritjes së këtij rezultati”, ka pohuar Halili.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











