Kreditë e dhëna nga Tirana Bank kanë shkuar për financimin e klientëve dhe bizneseve të shëndetshme. Reagimi zyrtar i bankës, sqaron çdo spekulim mediatik për mënyrë e funksionit të këtij institucioni financiar. Banka ka nënvizuar gjithashtu edhe të vërtetën e largimit të drejtorit Santixis. “Në lidhje me lajmet e pavërteta të publikuara sot (dje) në shtypin e përditshëm në lidhje me largimin e Z. Dimitris Santixis nga Tirana Bank, banka dëshiron të sqarojë se; pasi shërbeu për dy vjet në postin e drejtorit të Përgjithshëm, Z. Santixis dha dorëheqjen nga banka.” Nga ana tjetër, në njoftim tregohet edhe mënyra e financimit të klientëve të bankës. “Tirana Bank ka respektuar gjithmonë kritere strikte për kredidhënien, në respekt të klientëve dhe aksionerëve të saj dhe ka financuar gjithmonë kompani dhe individë seriozë e të shëndetshëm, me qëllimin për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.” Në fakt, rreshtat e njoftimit të Tirana Bank, konfirmohen nga shifrat e bilancit të saj. Kjo bankë arriti të mbyllë me një fitim prej 12.2 milionë eurosh aktivitetin në vitin 2010, duke treguar se sa mirë janë investuar paratë e klientëve të saj. Vetëm në vitin 2010 fitimi është rritur me 76 për qind. “Është e rëndësishme të vihet në dukje suksesi i madh që kemi pasur me depozitat, me një rritje prej 90.4 milionë euro (22.9% krahasuar me 2009). Kredia ka shënuar një rritje prej 6.2% dhe Tirana Bank mbetet banka e dytë në vend për kredidhënien.” Nga ana tjetër, vetë shifra e kredive dhe funksionimit të tyre tregon qartë eficencën e financimit. Në rast se sektori bankar shqiptar i kishte kreditë e këqija në vitin 2010 rreth 13%, në Tirana Banka ato ishin 7.8%. “Pozicioni i fortë financiar i bankës sonë konfirmohet edhe nga niveli i ulët i kredisë me probleme, e cila mbetet në nivelin e 7.8% të totalit të portofolit të kredisë (shumë më i ulët se totali i sistemit bankar shqiptar). Në bilancin e Tirana Bank shikohet se raporti i mjaftueshmërisë se kapitalit ishte 13.7%. Pas shtimit të fitimeve të vitit 2010, ky raport pritet të shkojë në nivelin e 15%. Numri total i degëve dhe agjencive i Tirana Bank ka shkuar në 56 dhe kjo bankë renditet e treta për nga numri i degëve në vend.











