Thaçi, Pacolli hedhin “shigjetat”

Apr 4, 2011 | 12:02

Kriza politike në Kosovë po thellohet çdo ditë e më shumë, pas “kërcënimeve” reciproke nga dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit qeverisës, PDK-së dhe AKR-së.Nga partia e Behgjet Pacollit (AKR) kanë deklaruar se do të tërhiqen nga koalicioni qeverisës, nëse brenda dy ditësh nuk do të ketë një qëndrim të qartë nga PDK-ja, për sigurimin e postit të Presidentit për Pacollin. Nëse AKR-ja tërhiqet, nuk ka hë për hë asnjë parti tjetër opozitare të gatshme për të mbështetur Thaçin dhe shumica nuk do të ekzistonte më. Kjo do ta çonte Kosovën në zgjedhje të reja, siç ka kërkuar edhe partia më madhe opozitare, LDK-ja. Nga ana tjetër, mediat raportojnë se të shtunën në mbrëmje ka qenë vetë Hashim Thaçi, i cili i ka kërkuar Pacollit të tërhiqet nga posti i Presidentit, pasi ai nuk mund t’ia garantojë atë, dhe kjo do të thoshte automatikisht edhe tërheqjen e AKR-së. Por, Pacolli i ka përgënjeshtruar këta zëra dje në mëngjes, duke u shprehur se “gjithçka do të zgjidhet të hënën pas takimit që do të zhvillohet mes AKR-së dhe PDK-së. “Askush nuk ka kërkuar nga unë që të mos kandidohem”, tha dje Pacolli për RTK-në. Ndërkohë, nuk ka asnjë sinjal në Kuvend për seancë të jashtëzakonshme mbi zgjedhjen e presidentit të vendit. Një ditë më parë, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pohoi se nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga asnjë grup parlamentar. Opozita në Kosovë vazhdon të kundërshtojë fort kandidimin e Pacollit, duke kërcënuar sërish me bojkot, edhe pse Gjykata Kushtetuese kërkoi që të evitohej një masë e tillë. Thirrje të njëjta kanë ardhur edhe nga i gjitha faktori ndërkombëtar në Kosovë. Por LDK-ja është e vendosur që presidenti të zgjidhet me konsensus politik. Nëse nuk ka një marrëveshje paraprake politike, LDK-ja do të përsërisë skenarin e 22 shkurtit, duke bojkotuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Kryetari i saj, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, tha se është e nevojshme që të ulen në tryezë me të gjitha partitë parlamentare për të gjetur një zgjidhje. Mustafa theksoi se kjo nuk kërkohet për individë të veçantë, siç është rasti i Pacollit. Ndërkohë zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, hodhi poshtë diskutimin e mundësisë për hyrjen në koalicion me PDK-në, ndërsa ka përsëritur se AAK-ja do të bojkotojë seancën për zgjedhjen e presidentit, në rast se Behgjet Pacolli do të jetë sërish kandidat për president. “Qëndrimi i deritashëm zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është mospjesëmarrja në seancën parlamentare, deri në një moment tjetër, derisa z. Pacolli do të jetë kandidat për president i Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancë”, ka thënë ai.

Regjistrimi, pa probleme

Sipas mediave në Kosovë, procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave po vazhdon me ritmin e parashikuar edhe gjatë ditëve të fundjavës. Që nga 1 prilli, 4 900 regjistrues të shpërndarë nëpër vendbanimet e Kosovës janë duke regjistruar banorët rezidentë të vendit. Regjistrimi bëhet sipas metodologjisë klasike të intervistimit derë më derë. Çdokush është i lirë, por jo i obliguar, të tregojë përkatësinë fetare apo etnike. Kjo është e bazuar në standardet ndërkombëtare.

Zgjedhjet e reja, “vetëvrasje”

Organizimi i një procesi të ri zgjedhor, në rast se deputetët e Kuvendit nuk e zgjedhin Presidentin e vendit, do të ishte një “vetëvrasje” për Kosovën. Sipas drejtuesve të partive politike, anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe analistëve të pavarur, prioritet i vendit nuk janë zgjedhjet, por ndryshimi i Ligjit Zgjedhor dhe ndërrimi i disa neneve të Kushtetutës, sipas “Zëri”-t. Anëtari i KQZ-së, Fadil Maloku, u shpreh për këtë gazetë në favor të një konsensusi mes partive politike dhe “ikjes” nga organizimi i zgjedhjeve.

© Panorama.al

Te lidhura