Teuta/ Çota drejt operimit, Martini pezullon Dostin

Apr 22, 2011 | 9:54

Nuk kishte si të veprohej ndryshe, teksa gjuri i dëmtuar i sulmuesit Çota nuk mund të përballonte kurrsesi ngarkesë. Ai ka menisk dhe sipas mjekëve mundësia e vetme për ta rikthyer në fushën e blertë është vetëm operacioni. Sipas burimeve të besuara, bëhet e ditur se brenda 4-5 ditëve të ardhshme, në Spitalin Italian në Tiranë, nën asistencën e ortopedëve të këtij shteti, Çota do të operohet në gjurin e këmbës së majtë. Fundi i sezonit për Çotën është vendosur që në javën e 17-të, kur Teuta luante në “Niko Dovana” me Vllazninë. Ndërkohë, edhe për mesfushorin e ri të Teutës, Albi Dosti, sezoni shënon fundin e tij. Kjo për arsyen e vetme të prishjes së regjimit sportiv nga futbollisti, i cili sipas Martinit është përfshirë në një cikël ndeshjesh ndërmjet shkollave të mesme të Durrësit. “E kam dënuar futbollistin të mos përfshihet në listën prej 18-të futbollistësh që janë disponibël për ndeshjet e kampionatit, deri në fund të sezonit”, – tha trajneri i Teutës, Edi Martini. Ndërkohë, ai mund të mbështetet te sulmuesi Elis Frashëri, i cili shënoi dy gola në ndeshjen e fundit. “Më në fund këmbët tona janë ‘çliruar’ dhe porta nuk na duket si ‘kuti shkrepëse’ si më parë. Të tetë golat janë shënuar në pjesën e dytë, duke treguar mundësitë e mëdha të ekipit për të sulmuar dhe depërtuar në portat kundërshtare”, ka pohuar dje Frashëri.

© Panorama.al

Te lidhura