TEC-i, Dako tërheq Xhaferrajn pas vetes

Apr 24, 2011 | 10:52

Kandidati socialist, Vangjush Dako tërheq pas vetes rivalin e tij politik, Ferdinand Xhaferraj me nismën kundër ndërtimit të TEC-it me qymyr në Durrës.Thirrjes publike për t’u bashkuar kundër termocentralit, kandidati demokrat për Bashkinë Durrës i ka kthyer përgjigje pozitive po në mënyrë publike. Ndërsa fushata elektorale po zhvillohet në pikun e saj, Xhaferaj ka pranuar të firmosë peticionin kundër TEC-it me qymyr, pavarësisht qëndrimit të qeverisë, në të cilën vetë ai ishte pjesë deri rreth 1 muaj më parë. Ky reagim i Xhaferajt ka ardhur pas thirrjes së kandidatit socialist Vangjush Dako, i cili e ka ftuar rivalin e tij të bëhet pjesë e nismës më të fundit të bashkisë me firmosjen e një peticioni kundër ndërtimit të TEC-it. Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij ka nënvizuar se firmat e vëna në këtë libër janë shprehje e protestës së qytetarëve, që nuk mund të pranojnë një masakër mjedisore për qytetin. “Projekti i TEC-it përbën një rrezik real për mjedisin në Durrës, për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të qytetarëve. Ne nuk mund të heshtim ndaj këtij fakti. Ndaj, u kërkoj të gjithë qytetarëve durrsakë, pa dallim ngjyrash partiake, të vijnë dhe të firmosin, duke shprehur në këtë mënyrë se janë kundër vendimit të qeverisë për TEC-in në Porto-Romano”, ka deklaruar Dako. Ndërsa Xhaferaj ka qenë më i prerë në argumentet e tij, ka cituar se nëse do të nisë ndërtimi i TEC-it, do të japë dorëheqjen si kandidat për kryetar bashkie. “Kundërshtari im më ka bërë një ftesë për të firmosur një peticion kundër ndërtimit të TEC-it dhe unë e pranova me shumë kënaqësi. Kur bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve, nuk ka më rivalë, por të bëhemi një dhe të kujdesemi për qytetin dhe qytetarët durrsakë. Edhe unë, ashtu si zoti Dako, nuk jam aspak dakord që të ndërtohet TEC-i me qymyr. Ndërtimi i TEC-it, por edhe ndaj çdo vendim që vë në rrezik mjedisin, florën dhe faunën e qytetit dhe të detit, prandaj nëse do të fillonte e të ndërtohej TEC-i, do të tërhiqesha automatikisht si kandidat për kryetar bashkie”, ka nënvizuar Xhaferaj.
Në nëntor të vitit 2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit në qarkun e Durrësit miratoi masterplanin e Zhvillimit të integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, infrastrukturën dhe konturet e saj, me një sipërfaqe prej 810 ha, i cili do të kalojë për shqyrtimin përfundimtar në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Parku energjetik i Durrësit shtrihet 6 km në veri të Durrësit përgjatë bregdetit nga kodra e Porto Romanos, me lartësi 83 metra deri në kodrën e Palit dhe ka një gjatësi rreth 1.1 km, ndërsa në drejtimin lindje-perëndim ka një gjerësi rreth 2 km.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura