Të zhdukurit nga diktatura presin drejtësi, z.kryeministër!

Feb 7, 2026 | 8:16

besim ndregjoniBESIM NDREGJONI

Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama në podcast e tij (se nuk i mjaftojnë mediat që i paguan vetëm për propagandën e tij) me lot krokodili deklaroi se nuk prehen të qetë të vrarët e protestës 21 janarit dhe kërkoi drejtësi për familjarët e tyre. Të kërkosh drejtësi për një krim shtetëror që kryhet ndaj atyre shqiptarëve që kanë mendim ndryshe dhe nuk e duan një qeveri, është më se normale, dhe i jap të gjithë mbështetjen time morale qytetare dhe mbështetjen e gjithë ishtë burgosurve dhe të përndjekurve politikë, bashkëvuajtësve të mi! Por të kërkosh drejtësi vetëm për ata që ti i ke militantë të partisë tënde dhe të heshtësh ndaj atyre që iu u mor jeta nga ish-partia që trashëgoni ju si kryeministër, është racizëm politikë, që një kryeministri nuk i lejohet, përkundrazi tregon urrejtje klasore ndaj kundërshtarëve politikë, për të cilën diktatura i vrau dhe u mori jetën mbi 6000 qytetarëve shqiptarë nga gjithë krahinat e vendit.

Si forcë politike, të heshtësh për tri dekada ndaj krimit të hidhur tragjik që i ka ndodhur kombit tënd me humbjet e jetëve njerëzore të bashkëkombësve tuaj është e papranueshme në një sistem ku jeta është shenjtë dhe të bën palë me xhelatët që i kryen këto krime.

Heshtja e juaj si kryeministër, përballë gjenocidit shtetëror që kreu Partia e Punës e Shqipërisë ndaj 6000 qytetarëve shqiptarë që kundërshtonin diktaturën, është kambanë alarmi për paqen në mes shqiptarëve. Këto krime çnjerëzore duhet të tronditin shtetin e ashtuquajtur demokratik dhe duhet të ndërgjegjësojnë jo vetëm kryeministrin, kryetarin e opozitës, por çdo shqiptar që flet shqip.

Kush ishin këta shqiptarë që u pushkatuan në kohë paqeje dhe jo lufte? Ata i kishin dhënë kombit pavarësinë, kishin ndërtuar shtetin e parë shqiptarë, ishin antifashistët e parë shqiptarë ndaj pushtimit fashist. Ata mbrojtën jetë njerëzore, hebrenjtë, përballë makinerisë shfarosëse të nazizmit, duke rrezikuar jetët e familjeve të tyre. Me veprën e tyre humane e vendosën kombin shqiptar në plejadën e nderit botërorë! Këta korifenj të lirisë dhe mendimit ndryshe u vranë që Shqipëria të ishte pjesë e Europës, që vendi të kishte sistem demokratik, që qytetarët të kishin lirinë dhe pronën e tyre. Këta martirë, zoti kryeministër sot nuk kanë një varr dhe nuk dihet se ku i kanë kufomat. Jetët e tyre i vrau ideologjia staliniste e diktatorit më famëkeq që ka njohur Europa e pas Luftës së Dytë Botërore, krimineli Enver Hoxha. Ajo ideologji që Europa e dënoi në vitin 1956, fatkeqësisht vetëm Shqipëria që sundohej nga një parti kriminele staliniste nuk e dënoi.

Dhe forca politike që doli në ’90. jo vetëm nuk e dënoi këtë ideologji shfarosëse, por përkundrazi pranoi të kishte bashkudhëtare e sistemit pluralist, partinë që i kreu këto krime. Partia që drejtoni ju, zoti kryeministër, ndërroi emrin në vitin 1991 dhe u vetëquajt Parti Socialiste dhe që e drejtoni prej 20 vitesh! Këto familje që provuan plumbat, vuajtjet dhe burgjet politike dhe dolën në liri më ‘90 falën që Shqipëria të mos kishte gjak, urrejtje, por ata kërkuan nga partia juaj që t’i dënojë këto krime. Ju si forcë politike ndoqët një rrugë të gabuar, aspak ligjore dhe njerëzore dhe që nuk i shërbente pajtimit kombëtar. Nën petkun e demokracisë zgjodhët të mbroni ideologjinë dhe diktaturën në rrugën e pluralizmit. Ju sjellim në vëmendje para tre muajsh proklamatën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në shërbim të paqes shpalli Javën Antikomuniste në nëntor 2025 ku deklarohej: “Në 34 vitet që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, bota ka dëshmuar si triumfin e demokracisë, ashtu dhe këmbënguljen e tiranisë në forma të reja. Zërat e rinj përsërisin gënjeshtrat e vjetra, duke i veshur ato me gjuhën e ‘drejtësisë sociale’ dhe ‘socializmit demokratik’, por mesazhi i tyre mbetët i njëjtë: Hiqni dorë nga liria juaj, vendosni besimin tuaj te pushteti i qeverisë dhe shkëmbeni premtimin e mirëqenies me ngushëllimin e zbrazët të kontrollit. Amerika e refuzon këtë doktrinë të ligë”. A refuzoi Shqipëria këtë doktrinë të ligë, jo. Përkundrazi, vazhdoi mbrojtjen e diktaturës duke u fshehur mbas gënjeshtrave të pjesëmarrjes së komunistëve në Luftën e Dytë Botërore! Shqipëria heshti ndaj krimeve të diktaturës, dy forcat politike PS dhe PD “formalisht” në ‘90 e shpallnin veten antidikaturë, por gjatë tri dekadave nuk e dënuan diktaturën me ligj. Dhe zgjodhën heshtjen ndaj krimeve makabre të partisë së diktatorit Enver Hoxha. Mbas 35 vitesh, sot janë ndërtuar institucione “formale” demokratike, por të komanduar nga partia shtet. Sot zgjedhjet janë monopol të partisë dhe jo të popullit. Nga një “shtet demokratik ku menduam në ‘90 të ndërtonim”, sot jemi kthyer në një shtet ideologjik partiak. Vlerat e individëve i përcaktoni ju si kryeministër dhe jo kontributi i qytetarëve ndaj kombit. Nqs., nuk i përket partisë tënde edhe jetën ta japësh për kombin, nuk mund të quhesh atdhetar, por armik. Edhe diktatura, zoti kryeministër, bënte zgjedhje “formale” me 99% votuesish, e njëjta gjë po ndodh tani në vendin tonë. Dy parti kanë kapur sistemin demokratik dhe e kanë kthyer në një sistem partiak, dhe nuk e lënë as të jetojë, as të vdesë.

Nqs., nuk ke lidhje me diktaturën, kundërshtarit politik nuk i lejohet të votohet, jo më të drejtojë institucione. Sot drejtësia është në kllapi të pushtetit ekzekutivë. Shoqëria civile, media, nqs nuk i shërbejnë pushtetit, do të penalizohen. Sindikatat nuk ekzistojnë se nuk ka ekonomi tregu, por ekonomi formale dhe aspak kapital dhe biznese që i shërbejnë zhvillimit të vendit.

Militantët që u vranë më 21 janar janë shqiptarë dhe duhet drejtësia të veprojë! Dhe ata djem që u vranë në Vlorë në ‘97 nga forcat militante të partisë suaj janë shqiptarë, edhe ata duan drejtësi. Por partia e juaj, z.kryeministër, ata që vranë Besnik Hidrin dhe Lekë Çokun që ishin të përndjekur politikë, vrasësit i bënë deputetë! Mbi 6000 shqiptarë të vrarë dhe zhdukur kufomat. 35 vite presin drejtësi, z. kryeministër! Sot, mbas 35 vitesh, 6000 qytetarë bashkëkombës tuaj janë shqiptarë, nuk kanë një varr për t’i nderuar se këta martirë të lirisë nuk janë militantë politikë të forcës tënde politike! 6000 familje shqiptare nuk kanë një ditë kujtese, siç e kanë hebrenjtë për t’i nderuar jetët e tyre. Mbi gjakun e pafajshëm të këtyre korifenjve, ju politikanët e pas ’90, nuk zgjodhët kujtesën, por harresën. Këta 6000 shqiptarë kërkojnë drejtësi, zoti Rama dhe drejtuesi i opozitës, dr. Berisha. Heshtja e pozitës dhe opozitës ndaj krimit të zhdukjes së kufomave të mbi 6000 shqiptarëve ju bënë bashkëfajtorë para shoqërisë dhe kombit shqiptar! Të fshehur nën petkun e demokracisë luftuat për tri dekada të fshinit krimet kundra njerëzimit! Dhe as nuk skuqeni e as nuk zverdheni si shqiptarë, por silleni si sundues barbarë ndaj këtyre familjeve, vetëm se ato kundërshtuan diktaturën. Familjarët e të zhdukurve s’kërkuan hakmarrje, por vetëm drejtësi! Sjellja e pushtetit ndaj këtyre familjeve, duke iu mohuar të drejtat më elementare të gjetjes së kufomës, është krim që sjell pasoja. Të mendosh se me anën e pushtetit mund t’i fshish krimet dhe mund të frikësosh shqiptarët të bën bashkëfajtor me xhelatët e djeshëm, që i ekzekutuan këto krime ndaj qytetarëve që kërkonin liri. Ku vemi zoti kryeministër? Pse hesht dr. Berisha ndaj krimit komunist? E vërteta, zoti kryeministër, nuk mbulohet me pushtet, as me dhunë! Ajo është e hidhur, por na bën qytetarë të lirë të këtij vendi. Si mund ta keni ndërgjegjen të qetë kur mbi 6000 shqiptarë nuk kanë mundësi të ndezin një qiri, apo të bëjnë një lutje për gjyshin, babain, nënën, motrën, vëllain, dajën?! A mund të ketë paqe Shqipëria kur ka 6000 shqiptarë janë të zhdukur?! Ku lotët e atyre familjeve nuk janë tharë dhe ju si drejtues të këtij vendi nuk nderonin jetët e tyre.

Sot ju bëj thirrje publike ju si kryeministër dhe dr. Berishës si kryetar i opozitës, në emër të të zhdukurve të komunizmit kërkojuni falje publike familjeve të 6000 të zhdukurve të Partisë së Punës së Shqipërisë! Mos pengoni ligjin për të dënuar krimet e komunizmit! E kundërta që keni bërë deri tani dhe ju ka njollosur para kombit për heshtjen tuaj. Gjaku nuk bëhet ujë thotë një fjalë e urtë shqiptare. Drejtësi për të gjithë shqiptarët që i vrau politika enveriste për interesa të saj! Si katër të vrarët e 21 janarit, edhe 6000 të vrarët e të zhdukurit kufomat janë shqiptarë, bashkëkombësit tuaj dhe kërkojuni falje dhe jepuni drejtësi! Drejtësia ndaj këtyre shqiptarëve na fut në Europë, se këto ishin lajmëtarët e parë të Europës në një kohë kur Shqipëria nuk mund të merrte frymë. Kemi 35 vite që presim drejtësi për të zhdukurit, është detyra jote si kryeministër dhe e opozitës që drejtohet nga dr. Berisha t’i dënoni krimet e komunizmit, të kërkoni falje dhe ta dërgoni shoqërinë drejt një pajtimi kombëtar. Kur drejtësia të veprojë e barabartë, Shqipëria do të ketë liri dhe paqe!

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura