Të shtunën, 2000 mësues në testim për rritjen e pagës

Apr 19, 2011 | 10:45

Ditën e shtunë rreth 2000 mësues nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen testimit për të përfituar shtesën në pagë deri në 20%. Rregulli i parë që duhet të zbatojnë mësuesit e arsimit parauniversitar për të marrë pjesë në testimin e hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është paraqitja e një mjeti identifikimi ditën kur do të zhvillojnë këtë test. Sipas Ministrisë së Arsimit, provimi ashtu si gjatë përvojave të kaluara, do të zhvillohet vetëm me shkrim. Në bazë të rregullave pjesë e këtij testimi nuk do të bëhen të gjithë mësuesit, por vetëm ata që aktualisht kanë 5, 10 apo 20 vjet eksperiencë pune në këtë fushë. Nëpërmjet këtij provimi arsimtarët do të vlerësohen për njohuritë e programeve lëndore, anës shkencore të lëndës shkollore, si edhe zotërimin e anës metodike të lëndës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të hartojë 33 lloje testesh për t’ju përshtatur profileve të arsimtarëve dhe shkollave ku ata japin mësim. Qëllimi i këtij testimi nuk është vetëm vënia në provë e njohurive të tyre, por edhe rritja e pagave mujore në tri shkalla specifike, që do të diferencohen në bazë të kualifikimit të secilit prej tyre.Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit për vitin 2011 do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit të cilët kanë plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit të vitit 2010. Për pasojë, nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind, ndërsa për të parën plus 20 për qind.Mësuesi që nuk e “kalon” këtë testim nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për kualifikimin e drejtuesve të shkollave, të cilët do të trajnohen dhe kualifikohen për një menaxhim profesional të shkollës.

© Panorama.al

Te lidhura