Në mbledhjen e parë pas hapjes së fushatës, qeveria miratoi listën e radhës së dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë.Gazeta zbardh sot vendimin me emrat e 352 personave që do të dëmshpërblehen për vitet e burgut. Në total, vlera e dëmshpërblimit arrin në 13 milionë dollarë. Në lista, edhe emrat e 23 të dënuarve me vdekje, dëmshpërblimin e të cilëve e përfitojnë familjarët. Bashkë me përfituesit, në tabela janë edhe të përndjekur të tjerë që nuk marrin para sepse kanë përfituar nga vendime të tjera të qeverisë. Në listën e botuar nga gazeta ndodhen emrat e përfituesve si dhe sasia e plotë e dëmshpërblimit financiar, të cilën ata do ta përfitojnë me këste për 8 vite, siç e parashikon ligji. Sipas Berishës, prioritarë në dëmshpërblim do të jenë personat mbi 75-vjeçarë. “Kemi edhe një vendim tjetër të rëndësishëm për të përndjekurit politike, edhe 1.3 miliard lekë të tjerë lëvrohen për dëmshpërblimin e tyre. Pra ky proces po ecën në mënyrën më serioze dhe vendosim të përparësojmë të gjithë personat mbi 75 vjeç të këtij komuniteti”. Vendimi i qeverisë përmban për çdo përfitues edhe sasinë e plotë të dëmshpërblimit që llogaritet me ligj, por ndërkohë edhe zbritjen e përfitimeve të mëparshme. “Masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital, të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të Ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007, ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’, të ndryshuar”, thuhet në vendimin e qeverisë. Shuma e llogaritur transferohet në llogaritë bankare personale të të gjithë përfituesve.
Per te pare artikullin e plote bashke me tabelat atehere klikoni mbi: PDF











