Sulmuesi maqedonas i Flamurtarit, Aleksandër Bajevski, është kthyer në një lojtar stoli, por jo vetëm, teksa në ndeshjen ndaj Dinamos ai nuk ka qenë i përfshirë as në 18-she. Megjithëse është me mjaft eksperiencë, çuditërisht Bajevski nuk po gjen vend te Flamurtari. Në pjesën e parë të sezonit ai luajti si titullar, por me ardhjen në janar të Sebino Plakut, nuk e pa më fushën. Arsyet e mosaktivizimit të tij kanë lidhje direkt me Plakun, teksa tekniku i kuqezinjve, Gugash Magani, ka preferuar t’i japë më shumë hapësira ish-sulmuesit të Tiranës. Një nga arsyet kryesore është se Plaku mbetet “beniamini” i presidentit Shpëtim Gjika. Në merkaton e janarit, klubi kuqezi bëri një betejë të madhe me Tiranën për të afruar Plakun.











