Të arrestuarit pranojnë sulmin në metro

Apr 14, 2011 | 8:57

Sulmi në metronë e Minskut, në Bjellorusi, e cila kishte dalje pranë Presidencës, rezidencës së Presidentit dhe Këshillit të Sigurimit të vendit, tashmë ka autorët e tij. Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, deklaroi dje se dy terroristët e dyshuar e kanë pranuar autorësinë e sulmit, nga i cili humbën jetën 12 vetë dhe u plagosën rreth njëqind të tjerë. “Tashmë e dimë se cilët janë ata që kanë kryer këtë krim. E vetmja gjë që mbetet për të zbuluar, është se përse e kryen, por edhe kjo do të zbulohet shumë shpejt”, tha Lukashenko. Hetimet e autoriteteve përkatëse kanë treguar se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një bombe, e cila ishte e paketuar me tehe të mprehta dhe copëza metalike për të shkaktuar sa më shumë viktima. Shpërthimi ka ndodhur në stacionin e metrosë “Oktiabërskaja” dhe ka ndodhur në një kohë kur metroja ishte e populluar.

© Panorama.al

Te lidhura