Deputetja e larguar nga radhët e PS-së së fundmi, Marjana Koçeku i ka dalë në mbrojtje gazetarit Gjergj Erebara. Ky i fundit u sulmua nga deputeti Taulant Balla në një postim në rrjetet sociale.
Balla, për një postim të Erebarës ku ironizonte emrin e deputetit, kërkoi nga të gjitha fondacionet që financojnë BIRN dhe ambasadat që e mbështesin këtë medie llogari.
Koçeku thekson se sulmi publik ndaj Erebarës është një mesazh i gabuar për gazetarët dhe qytetarët që e kryejnë punën me integritet.
Reagimi i Marjana Koçekut:
BIRN ka qenë ndër vite nji nga mediat ma serioze dhe ma të besueshme në vendin tonë. Gazetaria investigative asht nji domosdoshmëri për demokracinë. Pikërisht falë punës së gazetarëve të saj, opinioni publik ka njoftë shumë çështje që përndryshe kishin me mbetë në errësinë.
Sulmi publik i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së ndaj gazetarit Gjergj Erebara nuk asht thjesht nji përplasje me nji individ. Asht nji mesazh i gabuem ndaj çdo gazetari dhe qytetari që ushtron profesionin me pavarësi dhe integritet.
Nji nga matësit e pushtetit asht mënyra se si i trajton ata që e kritikojnë atë. Fjala e lirë nuk hidhet në kosh dhe nuk mund të intimidohet.
Solidarizohem me gazetarin Gjergj Erebara dhe do të jem gjithnji në krah të çdo gazetari a media që, me profesionalizëm e guxim, i shërben dhe e shkruan të vërtetën, e mbron interesin publik, të drejtën, dhe e informon qytetarin dhe proteston bashkë me të kundër çdo lloj fallcifikatori politik.












