Zendaya mahnit në premierën e “Odisea”, shfaqet me fustan të bardhë me krahë engjëlli frymëzuar nga mitologjia greke

Jul 15, 2026 | 16:19

Zendaya ka tërhequr të gjithë vëmendjen në premierën e filmit të shumëpritur “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan, duke u shfaqur në tapetin e kuq të New York-ut me një pamje spektakolare të frymëzuar nga bota mitologjike e lashtë greke.

9

Aktorja, e cila interpreton rolin e perëndeshës Athena në film, zgjodhi një fustan të bardhë mahnitës nga shtëpia franceze e modës Matières Fécales. Krijimi unik kishte një dekolte asimetrike pa rripa, një bisht elegant dhe pupla të mëdha të bardha në pjesën e pasme, të cilat krijonin efektin e krahëve engjëllorë dhe lidhnin pamjen e saj me personazhin që ajo sjell në ekran.

Zendaya e kompletoi veshjen me një palë taka të bardha me dizajn të veçantë, ndërsa për flokët zgjodhi një bishtalec të gjatë. Grimi i saj ishte në nuanca natyrale, ndërsa aksesorët përfshinin vathë të gjatë me diamante nga Chopard. I gjithë look-u i saj u realizua nën kujdesin e stilistit Lo Roach, bashkëpunëtorit të saj prej vitesh.

Paraqitja e Zendayas u cilësua si një nga momentet më të spikatura të turneut promovues të filmit, me aktoren që arriti të ndërthurte elegancën moderne me elemente të frymëzuara nga mitologjia greke.

Në premierën e zhvilluar të martën mbrëma, më 14 korrik, në Teatrin AMC Lincoln Square në New York, ishin të pranishëm edhe emra të tjerë të mëdhenj të kastit, mes tyre Charlize Theron, Anne Hathaway dhe Matt Damon.

“The Odyssey” është një adaptim kinematografik i poemës epike të Homerit, “Odisea”. Në film, Matt Damon interpreton rolin e Odiseut, Anne Hathaway luan Penelopën, Zendaya sjell në ekran perëndeshën Athena, Robert Pattinson interpreton Hermesin, ndërsa Charlize Theron luan personazhin e shtrigës Circe.

Filmi i ri i Christopher Nolan pritet të shfaqet në kinematë botërore më 17 korrik dhe është një nga produksionet më të mëdha kinematografike të vitit.

© Panorama.al

Te lidhura