Do të bëhen prindër për herë të parë, Barbara Palvin dhe Dylan Sprouse zbulojnë gjininë e bebes

Jul 15, 2026 | 16:04

Modelja e njohur Barbara Palvin dhe aktori Dylan Sprouse kanë zbuluar gjininë e fëmijës së tyre të parë. Çifti ka bërë të ditur se së shpejti do të mirëpresë një vajzë, duke ndarë emocionet e tyre për ardhjen në jetë të bebes.

Barbara Palvin dhe Dylan Sprouse zbulojnë gjininë e fëmijës së tyre

Palvin dhe Sprouse, të cilët u martuan në vitin 2023 pas pesë vitesh lidhje, njoftuan në muajin maj se ishin në pritje të fëmijës së tyre. Modelja u shfaq me barkun e rrumbullakosur gjatë Festivalit të Filmit në Kanë, duke konfirmuar lajmin e gëzueshëm.

Gjatë një interviste të dhënë të martën, më 14 korrik, në podkastin “Wildmen”, çifti foli për pritjen e ëmbël, emocionet për prindërimin dhe vështirësitë që Barbara Palvin ka përjetuar gjatë shtatzënisë, përfshirë edhe përballjen me endometriozën.

Gjatë bisedës, modelja e pyeti bashkëshortin e saj nëse do ta ndante lajmin me publikun. Dylan Sprouse konfirmoi se ata po presin një vajzë dhe tha se është shumë i emocionuar për rolin e tij të ri si baba.

“Ne e quajmë ‘principessa’. Nuk e di pse ka mbetur kështu… është një fjalë italiane që do të thotë princeshë. Por po, ne po presim një vajzë dhe jam shumë i emocionuar. Mezi pres të jem baba i një vajze”, u shpreh aktori.

Çifti tregoi gjithashtu se ende nuk ka vendosur emrin e bebes dhe vazhdon të mendojë për alternativat e mundshme.

Ndërkohë, Barbara Palvin rrëfeu se shtatzënia nuk ka qenë aq e lehtë sa e kishte imagjinuar. Modelja tha se ka përjetuar simptoma të ndryshme, si dhimbje shpine, vështirësi me gjumin, ndryshime në oreks dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Disa herë ndihem fajtore sepse nuk po e shijoj shtatzëninë aq sa shumë gra të tjera. E di që është një dhuratë, por kam pasur vështirësi. Nëse nuk ha, më vjen për të përzier. Duhet të konsumoj më shumë proteina”, tregoi ajo.

Palvin zbuloi gjithashtu se kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të endometriozës në qershor të vitit 2025, përpara se ajo dhe Sprouse të tentonin të kishin një fëmijë.

“Ne donim ta bënim operacionin përpara se të fillonim përpjekjet. Mjekët pastruan gjithçka gjatë ndërhyrjes, në mënyrë që të kishim më shumë mundësi për të mbetur shtatzënë”, tha modelja.

Çifti ka deklaruar më herët se të dy e kanë ditur që në moshë të re se dëshironin të bëheshin prindër, dhe tashmë po përgatiten për një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së tyre.

© Panorama.al

Te lidhura