TIRANË- Thelllim i bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë në sferën ekonomike dhe mbështetje reciproke për proceset integruese në BE. Këtë kanë deklaruar gjatë takimit të sotëm, zëvëndëskryeministri i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe homologia e Kosovës, Edita Tahiri. Gjatë një konference për shtyp, pas takimit dypalësh, ata kanë ritheksuar domosdoshëmrinë e thellimit të bashkëpunimit dypalsh dhe mbështetjen, si domosdoshmëri për rrugëtimin europian.
“Si shtet i ri kemi miratuar plane të reja dhe kërkojmë bashkëpunim për integrimin europian, për të cilin jemi të bindur se mbështetja e Shqipërisë të vazhdojë”- ka thënë Tahiri.
Ajo ka sqaruar edhe njëherë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë si dy shteteve të pavaruara është thjesht e vetëm një dialog me karakter teknik. “Pavarësisht deklaratave që mund të vijnë nga Beogradi, dua të garantoj opinionin publik se dialogu synon të zgjidhë cështje praktike që rëndojnë mbi vendet dhe do të jetë vetëm kështu, pa dimensione të tjera. Objektivat e dialogut janë caktuar qartë si nga rezoluta e OKB që na fton në dialog, por edhe nga BE dhe SHBA”- ka thënë ajo.
Nga ana e tij, Haxhinasto ka përshëndetur edhe bisedimet me Serbinë, ku Kosova ka hyrë si shtet i barabartë.
“Kemi mirëpritur bisedimet që do të zgjidhin cështjet teknike mes dy vendeve. Kosova ulet në këto bisedime si shtet sovran. Gjithashtu, kam informuar ministren për përpjekjet e Shqipërisë për njohjet dhe integrimin e Kosovës. Është e rëndësishme që nga dialogu Kosova të angazhohet në një proces të shpejtë të integrimit evropian”, tha ai.
© Panorama.al











